Ditari vetjak i Kadaresë
KADARE DHE KOSOVA (5)
Bedri Islami
Ditari vetjak i Kadaresë, mbajtur gjatë ditë të Konferencës së Rambujesë, dëshmon për ankthin e tij, mërinë ndaj ngrehalucëve, zemërim për dokrrat që dëgjon, ankth për çfarë do të ndodhë dhe, në një çast pagjumësie e zemërimi, shpërthen “Kosova për disa është tmerr, për disa është dhimbje, kurse për disa vazhdon të jetë biznes”.
“Kosova ndërkaq e lënë në mëshirën e fatit mezi mbahet në këmbë. Bisha serbe e ka zënë për gryke dhe po e mbyt”. Dhe pastaj, shënimi i shkruar pas mesnatës së 22 shkurtit: “Ndonëse kam rënë të fle në një e gjysmë, në tre të natës më del gjumi. Kam një parandjenjë të keqe. Kam bindjen se gjithçka po merr rrokullimën. Shqiptarët nuk dalin dot nga kurthi ku janë futur. Kosova po merr fund.
Ç’mund të bëhet ende? Koha që ka mbetur është shumë e shtrënguar. Duhet diçka e ngutshme”.
Kadare bën dy gjëra. Ideja e Letrës drejtuar Delegacionit shqiptar në Rambuje i vjen natyrshëm. Është e vetmja zgjidhje. Një letër që t’i zgjojë nga gjumi. Që t’u kujtojë se ç’janë duke bërë. Që t’i detyrojë të harrojnë rapsodin e katundit…
Në orën katër letra është gati. Më në fund mund të bjerë të fle.
Nuk është e mjaftueshme vetëm kjo. Përmes mikut të tij të vjetër, Ekrem Bardha, takohet me Kris Hill, një darkë e përbashkët. Thuajse familjare. Diplomati amerikan, njohës i shkëlqyer i Kosovës, shkon me vonesë dhe ankthi se mos diçka e mbrapshtë ka ndodhur në atë kështjellë të vjetër, rritet. Më në fund Hill është aty, së bashku me gruan. Ambasadori i njohur është i lumtur që takohet me shkrimtarin e shquar, Kadare është në ankth për të ardhmen. Dhe befas gjithçka lehtësohet. Kris Hill u thotë në afërsi, çka ende nuk mund të thuhet në publik, se, jo larg, makineria serbe do të bombardohet nga strukturat e NATO-s. Është ndër të parët që merr vesh një gjë të ëndërruar dhe për të cilën, për herë të parë i kishte shkruar Presidenti francez, Zhak Shirak. Ndjenja e të pamundshmes është larguar. Perëndimi, përfundimisht, do jetë pjesë e Ëndrrës.
Pak vetë e dinë, ndoshta edhe vetë Albin Kurti, nuk e di se lirimi i tij nga burgjet serbe ka lidhje edhe me angazhimin e Ismail Kadaresë.
Disa ditë para se presidenti francez Zhak Shirak do të vizitojë Beogradin, dy vite pas përfundimit të luftës, Ismail Kadare i shkruan mbi fatin e të burgosurve shqiptarë në burgjet serbe. Lufta ka mbaruar, por qindra, ndoshta mijëra shqiptarë janë ende të burgosur, nën dhunën e përditshme dhe drojën e eliminimit.
Shkak për ringritjen e çështjes është bërë një letër e të burgosurit politik Besim Zymberi, i cili, askush nuk e di se si e ka nxjerrë nga burgu, i drejton Kadaresë. Askujt tjetër, asnjë institucioni shqiptar, kudo qoftë ai. Vetëm Kadaresë. Letra është nënshkruar edhe nga qindra të burgosur të tjerë politikë. Besim Zymberi i ka kërkuar publikisht këtë dëshmim, si shkrimtar, duke kërkuar t’ia bëjë të ditur opinionit evropian dhe atij botëror.
Nuk është hera e parë që Kadare ka ngritur çështjen e të burgosurve politikë shqiptarë. Në vitin 1997 ai i është drejtuar Ministrisë së Jashtme franceze, e cila, me 21 maj 1997, i përgjigjet se “Zotëri i dashur, Letra juaj lidhur me çështjen e z. Ukshin Hoti ka angazhuar gjithë vëmendjen tonë…”.
Dy nga presidentët më të shquar francez, Miteran dhe Zhak Shirak, janë ndër mikpritësit e tij, me të cilët ka zhvilluar një dialog të gjatë dhe shkëmbime letrash. E di se Franca, vendi i lirive dhe i të drejtave qytetare, nuk do të mund të heshtë ndaj asaj që po përgatitet apo që ndodh në Kosovë.
Është krejt e mundshme që, mendja e shkrimtarit, që njeh e rrok krejt mirë historinë, të ketë jetë përpjekur të zgjojë pikërisht ndërgjegjen e një kombi , që në histori, shpesh herë, ka qenë i lidhur me shtetin serb, si një kumbar i tij.
Me 26 gusht 1998, në ankthin e asaj që do të ndodhë në Kosovë, por edhe i vetëdijshëm se Kosova nuk mund të zgjidhë e vetme tragjizmin që po i përgatitet dhe gjenocidin që po ndodh, Kadare do të marrë përsipër një rol që, nga pozita e tij institucionale është tej limitit të tij, por nga institucioni që ai vetë ka ngritur e që i përket emrit të tij, është i përligjur.
Mes të tjerave ai i shkruan Presidentit francez Zhak Shirak. “Unë ju drejtohem juve, zoti president, duke i bërë thirrje ndërgjegjes suaj njerëzore, në tagrin që ju jep detyra e lartë e drejtimit të këtij vendi të madh, që është edhe atdheu im i dytë, që të bëni diçka të ngutshme dhe energjike, për të ndaluar këtë krim. Kur viktima thërret për ndihmë, asnjë arsye shtetërore, asnjë konventë, asnjë shkak tjetër, asnjë moral nuk mund të justifikojë mëdyshjen. Populli shqiptar i Kosovës është sot viktima që e ka thikën në fyt. Në emër të tij, unë ju drejtohem, me shpresë dhe besim se do të më kuptoni”.
Përgjigja e presidentit francez është e menjëhershme. “I dashur Mjeshtër”, i shkruan presidenti francez. “Koncepti juaj, lidhur për detyrimet e Francës, përputhet me imazhin që kam unë për vendin tim. Idetë e lirisë dhe të tolerancës, që frymëzojnë këtë vend, i japin zërit të tij një jehonë universale në mbarë botën…” Dhe befas, mes rreshtave është një premtim i presidentit francez, krejt i hapur, i drejtpërdrejtë, që nuk ishte ndeshur më parë në letërkëmbimet e tjera me burrështetas. Është folur shpesh se kur e ku nisi ideja e përdorimit të armëve, e ngritjes së strukturave të NATO-s për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, shkatërrimin e një populli fisnik, cili ishte njeriu që dha i pari këtë mendim? Në cilin forum të NATO-s, në cilin takim të burrështetasve euroatlantikë, cili ishte shkaku madhor, ishte gjendje emocionale e çastit apo gjithçka ishte rrjedhojë e mendimit të pjekur politik që më herët në disa kancelari ndërkombëtare?
Kjo enigmë, që më pas u bë gjithnjë e më e qartë, ka pasur një fillesë.
Në letrën e presidentit francez Zhak Shirak, drejtuar shkrimtarit Ismail Kadare, për herë të parë, krejtësisht hapur, do të jetë premtimi se, “Por, nëse zëri i arsyes nuk arrin të bëjë atë që duhet, atëherë do të duhet përdorimi i armëve, për të bërë armët të heshtin. Atëherë, Franca do t’i kërkonte Këshillit të Sigurimit t’i jepte të drejtë NATO-s, për të ndërhyrë me të gjitha mjetet e nevojshme”.
Është fillim shtatori i vitit 1998, shtatë muaj më pas, premtimi i Presidentit dhënë shkrimtarit, do të jetë realitet.
Zhak Shirak i drejtohet në letërkëmbimin e tij me Kadarenë, “i dashur mjeshtër” dhe kjo ndjenjë e përbashkët respekti, i ka hapur rrugën Kadaresë për të ngulmuar.
Dhe me 12 dhjetor 2001, ai i shkuan:
“Zoti president, siç e dini, kjo nuk është hera e parë që unë përpiqem të tërheq vëmendjen tuaj ndaj çështjes së të burgosurve politikë shqiptarë të Kosovës.
E di që gjatë vizitës suaj në Beograd, u lirua vetëm një i burgosur, Albin Kurti. Por, sa të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet, mbeten ende? Sa kanë vdekur? Kohë pas kohe, i zhvendosin nga një kamp në tjetrin, lirojnë një a dy vetë… Mes tyre mund të gjendet Ukshin Hoti, lider i rëndësishëm…”.
Kadare dhe Ukshin Hoti
Mbrëmë, deri pas mesnatës, po lexoja librin “Bisedë mes hekurash”, dialogu i dy figurave të shquara të kombit tonë, Ismail Kadare dhe Ukshin Hotit, njëri ndër të cilët vazhdonte të ishte ende i burgosur politik në burgjet serbe, për më tepër, si cilëson Kadare, i burgosuri politik më i rëndësishëm i kohës në trevat euroatlantike.
Natyrisht, është një dialog viganësh të mendimit dhe të shëmbëlltyrës së kombit, në të dy anët e kufirit shqiptar, në të cilin përshkëndijon madhërishëm vetëdija kombëtare, e shkuara dhe e nesërmja, gjithnjë nën dritësimin e mendimit politik.
Ajo që më befasoi më tej është jo vetëm kujdesi i shkrimtarit tonë të shquar, Kadare, për zhvillimin e një bisede të pazakontë, por fillesa e këtij libri, që përbën edhe qëllimin kryesor të dialogut. “Ky libër e ka zanafillën në përpjekjen për lirimin nga burgu të Ukshin Hotit”, kështu shkruan Kadare në rreshtin e parë të fillesës dialogiane.
Kjo ndodhte pasi Kadare kishte dërguar një seri letrash institucioneve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve kryesore perëndimore, dhe pastaj, vjen ky dialog në tri gjuhë, shqip, frëngjisht dhe anglisht, për të qenë më efikas dhe për të kushtrimuar opinionin publik ndërkombëtar.
Këtë e ka bërë një njeri i vetëm, të cilin kur e pyeta tre javë më parë, më tha se gjithçka ishte nisur nga instinkti i shkrimtarit, i kolegut, i nderimit dhe i përqasjes së një kombi ndaj një personaliteti të shquar.
Kur e mbylla faqen e fundit t këtij libri – dialog, mendova dhe ndjeva keqardhje:
Një njeri i vetëm, ndonëse i përmasave të njohura në të gjithë botën, ka bërë aq sa ka mundur për fatin e mendimtarit filozof më të shquar të kombit. Ka bërë atë që i ka lejuar fusha e tij, njohjet, emri. Po të tjerët çfarë kanë bërë dhe çfarë kemi bërë për Ukshin Hotin?
Pak, ose aspak. Nga mungesa e njohurisë, nga hallet, nga smira, nga mendimi se ai do të vijë dhe do të përmbysë një elitë të kërrusur, të mjerë, amorfe?
Ku ishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Kosovës, qeveria e shtetit shqiptar londinez, “liderët presidencialë dhe qeveritarë të Kosovës” që kishin shpallur veten president e kryeministër? Ku mbetën ata? Po apelet e tyre ku janë?
Përse në Rambuje nuk vendosëm kusht që Ukshin Hoti të ishte pjesëtar i bisedimeve në trupën përfaqësuese të Kosovës apo kishim frikë nga mendja e tij brilante?
Një shkrimtar i shquar ka bërë i vetëm më shumë se gjithë ne të tjerët… më shumë se institucionet e luftës dhe të paqes, më shumë se akademitë dhe universitetet, më shumë se qeveritë dhe liderët…
Ukshin Hotin e vrau regjimi policor serb. Ai qëlloi mbi të.
Heshtja jonë nuk shfajëson askënd.
Dialogu i dy titanëve dëshmon se çfarë i mungon sot Kosovës me mungesën e njërit prej tyre.
Të atij që ishte në burg.
Që bëri burg për lirinë e Kosovës.
***
Nuk dua të shkruaj sot për zemërimet e Kadaresë me figura të njohura të Kosovës, të politikës apo të artit. Në një rrugëtim kaq të gjatë është e natyrshme të ketë ndodhi të tilla. Në librin tim, që do të botohet jo shumë larg, me titullin e tanishëm, të përkohshëm, “Kadare, i oborrit apo i lirisë” jam ndalur më gjatë në ndërlidhjen mes tij dhe Kosovës, ashtu si edhe në raportet e shkrimtarit me shtetin, diktaturën, qenësinë e veprës së tij dhe kohën që e ka shoqëruar.
Gjithmonë te Kadare, përshtypja e parë, kur është fjala për Kosovën, vjen nga tejshkimi i jashtëzakonshëm i ngjarjeve dhe e dyta, nga madhështia. (Fund)