“DITËLINDJA” FILMIKE E RIKARD LJARËS
Josif Papagjoni
Sot ishte një përkujtomore për aktorin brilant të ekranit shqiptar, Rikard Ljarja. Ajo erdhi përmes filmit dokumentar “Rikard” të Mevlan Shanaj. Sot 1 prill.
Para 80 vjetëve, pikërisht më 1 prill lindi Rikardi në Shkodër. Ai vdiq në kohën e Covid 19 në vitin 2020 dhe nuk iu bë dot një lamtumirë meritore e popullore siç e meritonte. Sot, falë këtij filmi, sikur ky bosh u realizua. Sikur njerëzit ishin sot tok me Rikardin në kinema “Milenium”, me miqtë e tij të shumtë. Dhe me emocionet e pastra. Dhe malli, përlotja, dëlirësia njerëzore.
Dhe miqësitë. Vlerësimet. Episodet. Rrëfimet. Dhe syri i lagur i të shoqes, Marjeta Ljarës, aktores së shquar të filmit dhe teatrit, gruas së thjeshtë e të hijshme. Dhe prekja e djalit të Rikardit, që na emocionoi aq shumë. Një çift artistësh e një familje që kishte në bulb të saj sinqeritetin e thellë. Të vërtetën. Thjeshtësinë.
Kamera dhe mendimi regjisorial i Mevlan Shanës na e solli jetën e Rikardit dhe personalitetin e tij falë mjeteve të shumta që kishte përdorur: kolazheve fotografike, intervistave, episodeve nga filmat e xhiruar si aktor dhe regjisor, letërsisë dhe meditimit të vetë regjisorit, imazheve, meditimit.
E pamë Rikardin kështu qysh fëmijë në shtëpinë e prindërve, kur mori hapat e jetës; e ndoqëm me etjen për muzikën, pamë rrugën drejt artit të aktrimit në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” (1965) dhe më pas në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vitet 1973-1996 ai u imponua me talentin e tij si regjisor në Kinostudion “Shqipëria e re”, ndërsa më pas deri në v. 2002, kur doli në pension, ishte drejtor artistik në televizionin publik shqiptar.
Rikardi ishte një personalitet i artit dhe kulturës shqiptare: aktor, regjisor, muzikant, shkrimtar. Qysh në fillim u shqua për talentin e tij si aktor i filmit dhe shpejt u aktivizua në rolet të shumtë, që krijuan një tipologji të re aktrimi në ekran, si me rolin e Dritanit te filmi “Komisari i dritës” (1966), me të cilin krijoi një portret të mëvetësishëm prej mësuesi atdhetar e të pushtuar nga idealet e bukura të diturimit të fëmijëve në malësi. Fotogjenia e tij, sidomos koncepti për ta shfaqur njeriun në thjeshtësinë e vet, i dha interpretimit të personazhit besueshmërinë, natyrshmërinë dhe prerjen njerëzore, përkundër skemave të një heroizmi bërtitës, butaforik dhe “madhështor”.
Suksesi i merituar që arriti me rolin e Dritanit i çeli shtigje për t’u afirmuar si një nga aktorët më të kërkuar të kinematografisë në figurat e heronjëve të luftës e të punës, të cilët u interpretuan prej tij nga një pozitë e dukshme humane duke kërkuar në aktin heroik të thjeshtën dhe të domosdoshmen. Një vit më pas interpretoi rolin e Skënder Gurit në filmin “Dueli i heshtur” (1967).
Fotogjenia e tij, zëri i pastër bariton, vetësiguria dhe vetëpërmbajtja, të shoqëruara nga një qetësi e brendshme e veprimit psikik dhe aftësia për të krijuar suspansën dhe kontrapunktet e nevojshme gjatë procedimit të aksionit filmik, krijuan gjasat që Rikardi të bëhet nga aktorët e parapëlqyer të regjisorëve.
Mevlan Shanaj alternon në filmin e tij vlerësimet e artistëve dhe njerëzve me emër në artin shqiptar, tok me njerëz të afërm të tij, miq, shokë. Ideja e regjisorit i mëshon risisë që Rikardi solli në aktrimin shqiptar, qasjes humane të heronjve që luajti, ngritjen në foltoren e virtytit të njeriut të thjeshtë e të sakrificës, të NJERIUT TË MIRË. Maja më e lartë që Rikardi mbërriti ishte Deda te filmi “Rrugë të bardha”, 1974, rol që u bë emblematik për kohën, tejet popullor, si një ikonë.
Prirja për t’i dhënë lojës vërtetësinë deri në detaje të veprimit njerëzor, në një situatë të jashtëzakonshme, ku përkushtimi i pabujë ndaj detyrës së ngarkuar si fillrojtës për të lidhur linjat e këputura telefonike në kohë stuhie me borë, nga njëra anë dhe shpalosja e një shpirti të ndrojtur, të butë, poetik por këmbëngulës e vullnet-hekurt, nga ana tjetër, realizuan shkrirjen e të madhërishmes dhe heroikes me të thjeshtën dhe të zakontën. Ai rol ngjiti aq shumë me natyrën dhe portretin e Rikardit, sikur projektoi vetveten aty, te Deda i tij, Deda i të gjithë shqiptarëve. Ja, kështu dinte të luante Rikardi!…
Shanaj thekson enkas se Rikardi dinte të përputhte me sens mase veprimet e vërteta fizike me ndjeshmërinë dhe fjalën e ngarkuar me emocion; ankthet dhe situatat e rënda psikologjike ai i mbante thellë, përbrenda. Rikardi ishte nga aktorët më të bujshëm e më të pëlqyer të ekranit, i adhuruar nga shumëkush, I adhuruar nga rinia, vajzat, studentët, të gjithë.
Ai u bë një mit i kohës. Luajti mbi 25 role në kinematografi, dhe veç roleve që citova pak më lart, në filmin e Mevlan Shanajt ne e pamë portretin e Rikardit dhe në shumë role të tjerë. Dhe e kujtuam së toku tek Naimi (“Plagë të vjetra”, 1969), Rrema (“Shtigje lufte”, 1974), Dino (“Radjostacioni”, 1979) etj. Loja e tij shënoi një stil të veçantë në kinematografi duke qenë ndër aktorët më modernë të kohës. Ishte fort i natyrshëm dhe i vërtetë, dinte t’i sillte rolet kryesisht në tone të ulta, të qeta, me një zë të ngrohtë, bindës, bariton dhe një portret filmik tërheqës, fotogjenik, nga ku buronte po ashtu, një ndjeshmëri e thellë njerëzore, tone meditative, ato lirike e poetike.
Ne pamë te ky film dokumetar se si Rikardi hyri i mëvetshëm në regjinë filmike me filmin e tij të parë “Në pyjet me borë ka jetë”, 1978, ku edhe u njoh e u lidh në martesë me aktoren Marjeta Ljarja. Vijoi mëpastaj me xhirime filmash të tjerë si regjisor, 10 të tillët, ku bien në sy veçanërisht filmat “Radjostacioni” (1980), – një tablo lufte dhe paslufte me përplasje kundërshtish, klasash (fitimtarë e të rrëzuar) nën një linjë subjektore përbashkuese: ngritjen e radiostacionit të ri që do t’i shërbente paskëtaj pushtetit të ardhur nga lufta; filmi “Skëterrë ’43” (1980), ku ndërtohet një narrativë tragjike në një kamp përqëndrimi nazist, teksa vuajtja, torturat, rezistenca për mbijetesë, të pleksura me faktorin politik vetëdijësues të kohës, krijojnë një tablo të kahut epiko-heroik, paçka se hasen aty edhe mbishtresime të miteve politike, që vinin nga estetika e kohës.
Një qasje gjithësesi dramatike mundi të përditësojë ai në filmin “Fundi i një gjakmarrjeje”, 1983, ku armiqësia fisnore e personale ridimensionohen në miqësi dhe në hakmarrje tashmë kundër pushtetit dhe sipërmarrësve italianë. Nivelin më të mirë të realizuar si regjisor Rikardi e mbërriti me filmin “Kur hapen dyert e jetës”, 1980, me të cilin fitoi çmimin “Aleksandër Moisiu”.
Falë një situate të rëndë e të jashtëzakonshme (kryerja e një operacioni në një klinikë fshati, në kushte izolimi nga dëbora), filmi përcjell idenë e guximit, vullnetit dhe përkushtimit për punë, e pleksur në mënyrë organike me korrupsionin dhe abuzimet që vinin nga shfrytëzimi dhe tepria e pushtetit, me vetëdijen dhe qëndrimet patriarkale, sikurse edhe me linjën e “optimizmit” dhe thirrjes ndaj të rinjve për t’u ngulur dhe për të ndërtuar lumturinë e tyre në fshat.
Kamera e Mevlan Shanaj nuk ka lënë pas dore edhe pasionin e Rikardit për lexime, libra, letërsi e botime. Ishte një nga rrjedhat përplotësuese të jetës dhe talentit të tij. Ai ka shkruar romanet: “Në një humbëtirë këtej rrotull”, “Kohë qensh”, “Josifopedia”.
1 prill 2023. Kinemaja “Milenium” ishte përplot skeptatorë. Kishin ardhur të gjithë me mallëngjimin ngarkuar prej ikjes së tij, me dëshirën për ta parë e riparë.
Ishte ditë e shënuar sot për Rikardin, të shoqen e tij, Marjetën, fëmijët dhe familjarët, miqtë dhe shokët e shumtë, për spektatorin dhe mbarë popullin shqiptar, pse jo.
Ai u bë i të gjithëve. Ishte artisti i popullit të vet. Njerëz si Rikard Ljarja meritojnë kurora lulesh pa fund, nderime pa fund, vlerësime pa fund. Edhe filmi i Mevlan Shanajt “Rikard” ishte një e tillë kurorë, nderim e vlerë…