Ditën pjesëmarrëse dhe prijëse të demonstratave, në mbrëmje në oda kërkonin faljen e gjaqeve

07 shkurt 2024 | 11:51

Roli i ish-të burgosurave politike në Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë (3)

Përballjen me mentalitetin patriarkal vajzat shqiptare, ish-të burgosura politike, veprimtare të pajtimit të gjaqeve, e kishin më të lehtë sesa kur përballeshin me dhunën dhe nënçmimin, në hetuesi, po ashtu mbi bazën patriarkale, të udbashëve, me qëllim për t’i dobësuar, vrarë moralisht dhe thyer.

Lulëzim ETEMAJ

Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, si një lëvizje unike në historinë e popullit shqiptar, në raport me vajzën/gruan shqiptare, dëshmoi se për të hyrë në odë, kërkuar faljen e gjakut dhe shtrirë dorën e pajtimit; drejtimin e tubimeve të pajtimit dhe kuvendeve të saj, të qenit vajzë/grua jo vetëm që nuk ishte më një e metë, por ishte përparësi e veçantë. Posaçërisht kur bëhet fjalë për ish-të burgosurat politike (18). Aq më tepër kur ato shpesh gjatë ditës ishin pjesëmarrëse dhe prijëse të demonstratave nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, ndërsa në mbrëmje trokitnin derë më derë te familjet e shumta për të kërkuar prej tyre faljen e gjakut dhe shtrirjen e dorës së pajtimit.

Respekti i madh i treguar ndaj tyre, sidomos mirëpritja e tyre kur vepronin në vendbanime dhe territore të tjera të Kosovës, si nga Peja në Rahovec, Drenas, Tetovë, Gostivar, Gjilan, Prizren, Gjakovë, Llap, është një karakteristikë tjetër e nderimit dhe përkrahjes që ato e kanë gjetur në mesin e familjeve të shumta shqiptare (19).

E kuptueshme, sado që rrallë, të papërfillshme në numër, si pasojë e pikëpamjeve patriarkale, ka pasur edhe shfaqje të shikimeve ndër vetulla, posaçërisht kur ato kanë hyrë në oda, përfshirë edhe refuzimin për t’ua lejuar hyrjen brenda. Një rast i tillë është regjistruar në fshatin Zatriq
të komunës së Rahovecit, kur i zoti i odës ka tentuar t’ia ndalojë Zoge Shalës hyrjen brenda, duke insistuar ta çojë atë atje ku rrinin gratë.

“Shko ti te gratë, se nuk është oda për gra”, i ishte drejtuar ai Zoge Shalës.
Reagimi i bashkëveprimtarëve Lulëzim Etemaj dhe Begzad Gashi, si dhe shpjegimi i tyre këmbëngulës se ajo jo vetëm që duhet të hyjë në odë, por për sonte edhe e ka fjalën kryesore dhe se do ta ulim në ballë të oxhakut, ka bërë që të hapet dera edhe për të (20). Për befasinë e këndshme të të gjithëve, edhe të disa burrave të fshatit që kishin ardhur në odë, i zoti i odës, pasi që flasin disa nga bashkëveprimtarët e saj, duke ndrojtur që do t’i ketë ngelur hatri, i drejtohet Zoge Shalës me këto fjalë përplot njerëzi: “Ti që erdhe dhe hyre në odën time, pse s’e fole ende as edhe një fjalë?”.

Pasi e falënderon me dashamirësi mikpritësin, ajo i bën një shpjegim përmbajtjesor rëndësisë së zhdukjes së gjakmarrjes si dhe i kërkon të zotit të odës që t’ia falë gjakun rinisë së Kosovës, të ardhmes së saj më të mirë. Plaku ngrehet në këmbë dhe i drejtohet sërish asaj: “Unë gjakun do ta fal ty, Kosovës, popullit të Kosovës. Të qoftë fal gjaku!”.

“Bija ime, dëgjo çka po të them: Sa herë që ti do të vish në komunën tonë, dyert e shtëpisë sime i ke të hapura. Do të jesh si bijat e mia, sepse këtij konaku iu shtua edhe një bijë”, janë këto fjalë, të pikura nga zemra, me të cilat ky zemërbardhë, së bashku me gjakun e falur, e përcolli përtej dyerve të oborrit Zoge Shalën.

Përballjen me mentalitetin patriarkal, vajzat shqiptare, ish-të burgosura politike, veprimtare të pajtimit të gjaqeve, e kishin më të lehtë sesa kur përballeshin me dhunën dhe nënçmimin, në hetuesi, po ashtu mbi bazën patriarkale, të udbashëve, me qëllim për t’i dobësuar, vrarë moralisht dhe thyer. Ashtu si në rastin e parë, përballë udbashëve, edhe në rastin e dytë ishin të fokusuara në qëllimin e tyre final. Ato tashmë kishin përkrah edhe bashkëveprimtarët. Nuk ishin të vetmuara në betejën e tyre kundër patriarkalizmit. Me të drejtë ndiheshin edhe të privilegjuara për mirëkuptimin që gjenin si ish-të burgosura politike ndër familjet që shtrinin dorën e pajtimit në emër të rinisë së Kosovës, pjesë e së cilës ishin edhe ato (21).

Përmbyllje

Vajzat shqiptare, ish-të burgosura politike, mirëkuptimin dhe përkrahjen fillimisht e kishin gjetur në shtëpitë e tyre. Kjo atyre u kishte dhënë forcë dhe motiv shtesë në përpjekjen që këtë ta arrijnë edhe nga familjet e dëmtuara, të kuvendojnë me to dhe t’i bindin për t’i falur në mënyrë vullnetare, pa asnjë kusht apo kompensim, në emër të rinisë, gjakut të derdhur në demonstrata, flamurit dhe Kosovës, të gjitha gjaqet, plagët dhe ngatërresat. Ato jo vetëm që gjetën përkrahje dhe morën dorën e pajtimit, por insistuan që në aktin e faljes të përfshihen edhe vajzat dhe gratë e shtëpisë së dëmtuar, nëna, motra, bashkëshortja, e bija.

Prandaj, vajza dhe gruaja shqiptare, edhe në këtë aspekt, i tejkaloi të gjitha rregullat dhe praktikat që përgjatë historisë së popullit shqiptar e kanë shoqëruar faljen e gjaqeve. Ato gjetën forcë shpirtërore, e mundën së pari dhembjen, më pastaj edhe çdo paragjykim mbi bazën patriarkale dhe vendosën vetë ta falin gjakun. E bënë këtë, por jo vetëm kur nuk kishte asnjë burrë në shtëpi, siç ishte rasti i Sankocit të Drenicës, ku motra e madhe, nga pesë sa kishin mbetur, Hyra, e bindur nga fjala e rinisë, e fal gjakun e babait. Vajza dhe gruaja shqiptare e falën gjakun edhe kur shtëpia kishte burra, siç ishte rasti i një nëne fisnike në Prizren, që e thërrisnin nëna Zojë, e cila fali gjakun e të birit (22); nëna Sabile (Sfishta) në Prishtinë, që e fali gjakun e dy djemve; Lima (Konushevci) nga Llugat e Besianës, që e fali gjakun e burrit dhe të vajzës (23), apo nëna Nurije (Kunraj) nga fshati Zllapek i Pejës e cila nuk pret të flasë në telefon me djemtë në Gjermani, sepse “ata janë djemtë e mi dhe nuk mund të mendojnë ndryshe”, u kishte thënë të rinjve dhe ua kishte falur gjakun Zoge Shalës, Myrvete Dreshajt dhe Have Shalës (24).

Ndërsa, një grua tjetër, në Studenicë të Istogut, u thotë pikëllueshëm dhe me përzemërsi të madhe Myrvete Dreshajt, Zoge Shalës e Brahim Dreshajt: “Unë gjakun e burrit do t’jua fal, por ç’të bëj se ju s’do të vini më, dhe mua do t’më marrë malli për ju!” (25).

Kështu, vajzat shqiptare, ish-të burgosura politike, u bënë edhe nxitëse të emancipimit dhe kyçjes jo vetëm në faljen e gjaqeve, por edhe në veprimtari të tjera shoqërore edhe të shumë vajzave dhe grave të tjera.

Sipas të dhënave aktuale, numri i pajtimeve të arritura nga Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë është 2 511. Prej këtyre, 1 169 janë gjaqe, 477 plagë, ndërsa 865 është numri i ngatërresave (26). Këta numra të akteve të larta fisnike janë vetëm një nga segmentet e suksesit të saj shumëdimensional, filluar nga aspekti socio-ekonomik, kulturor, human, e deri tek ai kombëtar, duke qenë se si asnjë organizatë tjetër ajo ia arriti ta bashkojë popullin shqiptar. Pa këtë bashkim paraprak, të arritur nga Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, sfidat e shumta që solli lufta çlirimtare kundër Serbisë do të ishin më të rënda.
_____________________________________

(1) Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kuvendi, mungon vendi dhe viti i botimit, faqe 85.
(2) Po aty, faqe 85.
(3) Po aty, faqe 85.
(4) Shtjefën Gjeçovi, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kuvendi, mungon vendi dhe viti i botimit, faqe 90.
(5) Anton Çetta, Brezat që vijnë, pa plagë të vjetra, intervistë në Fjala, nr. 20, shtator 1990, faqe 30.
(6) Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politikë shqiptarë në Kosovë 1945-1990, Logos-A, Shkup, 2009, faqe 229.
(7) Kadri Halimi, Shkëndijë e lirisë, Zëri i Kosovës, nr. 22, 30 maj 1996, faqe 10.
(8) Anton Çetta, Gjaqet po i falen rinisë, intervistë në Zëri i rinisë, 7 prill 1990, faqe 18.
(9) Lulëzim Etemaj, Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve 1990-1991 në Kosovë, Armagedoni, Prishtinë, 2020, faqe 55-56.
(10) Gjykata e Qarkut në Pejë, Aktakuzë, P.n r. 60/85, dt. 30.5.1985
(11) Ceremonia e shprehjes së ngushëllimeve
(12) Gazeta Zëri i Kosovës, nr. 2, shkurt 1990, faqe 1.
(13) Nismëtarët e Aksionit për Pajtimin e Gjaqeve, Kosovë i konsideronin të gjitha trojet shqiptare të shkëputura nga Shqipëria dhe të mbetura nën pushtimin e Jugosllavisë.
(14) Zoge Shala, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 11 mars 2021.
(15) Fikrije Musa, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 25 mars 2021.
(16) Lumnije Azemi-Mrina, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 26 maj 2021.
(17) Procesverbali i Kuvendit I, Strellc, 19 maj 1990, faqe 8.
(18) Nafije Zendeli, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 19 mars 2021.
(19) Po aty
(20) Zoge Shala, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 11 mars 2021.
(21) Po aty
(22) Anton Çetta, Gjaqet po i falen rinisë, intervistë në Zëri i rinisë, 7 prill 1990, faqe 18.
(23) Fatmir Brajshori, veprimtar i pajtimit të gjaqeve në Prishtinë, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 10 prill 2021.
(24) Zoge Shala, deklaratë me shkrim dhënë autorit, 11 mars 2021.
(25) Pajtimi i gjaqeve 1990-1991, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Prishtinë, 1999, faqe 233.
(26) Po aty, faqe 9-224.

(FUND)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Elmi…