Ditët e kulturës shqiptare në Slloveni
Me një koncert për mërgimtarë nisën “Ditët e kulturës shqiptare” në Kopër të Sllovenisë, të cilat u organizuan nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe shoqata “Iliria”.
Në simpoziumin e pestë, i cili u mbajt në Qendrën historike të Koprit, u promovua numri i shtatë i revistës “Gjuha e vjetër shqipe në Istër”.
Simpoziumin e hapi Heset Ahmeti, kryetar i shoqatës “Iliria”, i cili foli për botimin e kësaj reviste.
Panelistët, ambasadori i Shqipërisë, Pëllumb Qazimi, zv. ambasadori i Gjermanisë, dr. Bernhart Hauer, albanologu Paolo Muner, Ndue Lazri, shkrimtar, dhe Gëzim Muçolli dhe slloveni Peter Štoka referuan për gjuhën shqipe dhe toponimet shqiptare në Istër.
U vlerësua shumë i rëndësishëm botimi për herë të parë I doreshkrimit të albanologut slloven Jernej Kopitar në vitin 1829.
Vlen të theksohet se z. Shtoka ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për zbulimin e gjurmëve të hershme shqiptare në Slloveni.
Në këtë simpozium morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Slloveni, Avni Katrati, përfaqësues të shoqatave në Slloveni, të atyre në Itali etj.
Pas simpoziumit, në teatrin e qytetit, në prani të shumë personaliteteve të jetës politike e kulturore, si kryetarit të komunës Koprit, dhe shumë bashkatdhetarëve u dha koncerti i tenorit të njohur shqiptar Kastriot Tusha.
Tenori Tusha, i cili u përcoll nga pianistja Lule Elezi, interpretoi pjesë të zgjedhura të kompozimeve shqiptare.
Në këtë mbrëmje kulturore, në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, shoqata “Iliria” u nderua me mirënjohje për kontributin shumëvjeçar në promovimin dhe kultivimin e kulturës shqiptare.
Po ashtu me këtë motivacion, kjo shoqatë u dekorua edhe me titullin “Naim Frashëri”, titull ky që jepet nga presidenti i Shqipërisë.