“Ditët e Shqiptarit”, letërnjoftimi më i mirë i kulturës dhe traditës së Gjakovës
Shkruan: Blerim Valla
Pas 7 ditësh aktivitetesh të shumta është përmbyllur me shumë sukses festivali i kulturës shqiptare “Ditët e Shqiptarit”, i cili, në dy pjesë të ndara në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit, sivjet ka nisur edicionin e parë në Gjakovë, i organizuar nga Fondacioni për Gjakovën që si synim të tij ka të gjallërojnë jetën e Gjakovës dhe të tërheqin turistët nga gjithë trojet shqiptare, por edhe të huajt.
Për një javë sa u zhvillua ky festival, qyteti i Gjakovës u shndërrua në një qendër kulturore rajonale ku u shfaq me shumë vlerë dhe shije kultura dhe identiteti shqiptar, që ishte edhe synimi i këtij festivali. Apo thënë më mirë festivali elitar “Ditët e Shqiptarit” u bë letërnjoftimi më i mirë i kulturës dhe traditës së Gjakovës por edhe mbarë shqiptarisë !
Gjakova, qyteti i artit e kulturës, historisë, muzikës, nacionalizmit, historisë e turizmit, për 7 ditë ishte shndërruar në skenë të hapur të artit e kulturës , në një qendër të kulturës shqiptare. Në këtë festë të madhe të muzikës, artit, kulturës, poezisë, filmit dhe traditës, gjatë një jave janë mbajtur 18 koncerte muzikore të grupeve dhe këngëtarëve shqiptar, 4 projektime filmash shqip, janë recituar poezi shqip, janë promovuar libra, pastaj janë shijuar shume gatime shqip, dhe kanë marrë pjesë shumë mysafirë – personalitete të njohura shqiptare.
Ky festival i kulturës shqiptare, padyshim me aktivitetet por edhe me vlerat e larta artistike është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit, ku u festua shqip në tri skena të hapura : në Çarshi të Vjetër të Gjakovës, pastaj në parkun kulturor “Ali Podrimja” dhe në ambientet ekskluzive në “Çarshinë e Jupave “.
Albina Varaku, koordinatore e festivalit “Ditët e Shqiptarit”, tha që fillimisht ideja për organizimin e këtij festivali ka ardhur nga njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët vendosën të bëhen bashkë për të kontribuar për Gjakovën. “Njerëzit e vullnetit të mirë u bënë bashkë për të kontribuar në mënyrën më të mirë të mundshme për qytetin e traditës, të kulturës, të historisë, për Gjakovën, ku fillimisht u themelua “Fondacioni për Gjakovën” e më pastaj nga ‘Fondacioni doli idea që të bëjmë diçka pikërisht për Gjakovën, dhe pse jo të organizojmë festivalin i cili u emërua ‘Ditët e Shqiptarit”. Pothuajse çdo lokacion ku ka pasur aktivitete të festivalit ‘Ditët e Shqiptarit’ ka qenë i mbipopulluar, dhe kjo na bënë të jemi jashtëzakonisht të kënaqur, tha I.Varaku.
Kurse Rron Jupa, njëri nga organizatorët e festivalit, ka thënë se me aktivitetet dhe me listën e këngëtarëve – grupeve që kanë sjellë këtë vit në Gjakovë, festivali “Ditët e Shqiptarit”, i ka konkurruar dhe do t’i konkurroj në edicionet e radhës, edhe disa prej festivaleve më të mëdha në rajon! Jemi shumë krenarë për këtë, duke pasur parasysh se në Gjakovë, në edicionin e parë të festivalit këtë vit kanë performuar emrat më në zë për momentin në skenën artistike shqiptar., dhe se festivali ka tërhequr mijëra njerëz duke vendosur një numër rekord të vizitorëve dhe pjesëmarrjes shumë të madhe në ndonjë ngjarje kulturore të mbajtura gjatë vitit në Kosovë”
Jupa ka thënë gjithashtu se festivali “Ditët e Shqiptarit” ka ndihmuar edhe për të paraqitur Gjakovën si qytet i traditave dhe të turizmit por edhe për të treguar identitetin kulturor që ka ky qytet jo vetëm mbarë hapësirën shqiptare por edhe më gjerë. Sipas tij “Ditët e shqiptarit“, edicioni i parë ka arritur që Gjakovën ta paraqes në një këndvështrim tjetër si qyteti më shqiptar në tërë shqiptarinë dhe si qendër e kulturës shqiptare. Shumë turistë të huaj – vizitorë janë befasuar shumë këndshëm me aktivitetet e shumta kulturore me vlerë, duke paraqitur edhe një herë se Gjakova dhe populli i Gjakovës janë shumë mikpritës dhe me shumë kulturë”, ka thënë mes tjerash Jupa.
Ndërkaq pedagogu dhe publicisti nga Tirana, me origjinë nga Gjakova Ermal Hasimja, njëri nga organizatorët e festivalit dhe njëheri kryetar i Bordit të Fondacionit për Gjakovën, ka theksuar se “ idetë dhe vullneti ynë si Fondacion për Gjakovën, si organizator për të vazhduar me këtë festival që të jetë i përvitshëm pra tradicional, është i madh, kështu që ne jemi të përgatitur për vitet në vijim. Aktivitete tona do të vazhdojnë edhe një vjeshtë me ngjarje të tjera kulturore. Ne shpresojmë që vitin e ardhshëm do të kemi edhe më shumë publikë – njerëz që pos si vizitor do të ketë edhe turistë që do ta vizitojnë qytetin tonë dhe do ta rrisim cilësinë dhe vlerën e festivalit me emra të njohur të muzikës, filmit, letërsisë, artit, gazetarisë etj. E.Hasimja ka falënderuar gjithë publikun dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në suksesin e festivalit “Ditët e Shqiptarit”, për energjinë e jashtëzakonshme që sollën të ftuarit dhe mysafirët që çdo natë në këtë ngjarje të veçantë me entuziazmin dhe mbështetjen tyre ishin një burim frymëzimi dhe ndihmuan në krijimin e një atmosfere të mrekullueshme! “Me padurim presim të organizomë dhe të festojmë së bashku në edicionet e ardhshme!”. Festivali “Ditët e Shqiptarit” ishte një festival që do të mbahet gjatë në kujtesën e të gjithëve ! Do të përpiqemi shumë që festivali “Ditët e Shqiptarit” padyshim të jetë një nga gjeneruesit më të mëdhenj të imazhit pozitiv të Gjakovës pra edhe Kosovës”, tha në fund ai.
Përndryshe edhe Java e dytë e Festivalit “Ditët e Shqiptarit” ishte një sukses i jashtëzakonshëm falë atmosferës, emocioneve dhe adrenalinës që dhuruan artistët e grupet e shumta , ishte një verë që do të mbahet gjatë në kujtesën e të gjithëve për organizimin perfekt të këtij festivalit të kulturës shqiptare.
Nata e katërt e javës së dytë të festivalit dhuroj emocione pafund me performanca të jashtëzakonshme që e mbushën Gjakovën me plot gjallëri dhe energji! Kështu adhuruesit e kinematografisë patën mundësinë që në parkun Ali Podrimja, të shohin filmin dokumentar “117” të regjisorit të madh Besim Sahatqiu. Në fund të shfaqjes së filmit “117”, organizatorët i ndan një mirënjohje familjarëve të regjisorit Sahatqiu për kontributin e tij të madh dhënë kinematografisë shqiptare . Kurse më pas emocione me ëmbëlsinë e muzikës së vjetër qytetare dhuruan grupi “Ashikët” me këngët e tyre tashmë të njohura. Ndërsa grupi i katër djelmoshave të rinj “Rilindja” nga Gjakova të cilët tashmë kanë bërë emër anembanë Kosovës me paraqitjen e tyre. Ky grup dhuroj një atmosferë gjallërie duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme nga të pranishmit të cilët dëgjuan me ëndje këngët që i kanë rezistuar kohë, dhe atë në një ambient fantastik në Çarshinë e Jupave. Ndërkaq në fund të natës së katërt festa kulmoi kur të gjithë u tubuan në Çarshinë e Vjetër për të dëgjuar grupin “Don’t Listen to Your Neighbours”, me paraqitjen dhe interpretimin e tyre unik të shumë hiteve të pavdekshme shqiptare.
Nata e pestë e festivalit nisi me Lekë Zherkën , drejtori i rrjetit të qendrave BONEVET në Fondacionin UNË E DU KOSOVËN, i cili ndau me publikun historitë e jashtëzakonshme të suksesit të disa iniciativave inovative dhe krijuese të BONEVET. Ai tregoi për ndikimin e madh të Kosova Makers League te fëmijët dhe u bëri thirrje prindërve që t’i inkurajojnë fëmijët e tyre të eksplorojnë botën e teknologjisë dhe edukimit. Më pas po në parkun kulturor Ali Podrimja rradhën e kishte kitaristi i njohur Agron Peni. Maestro Agron Peni, kitaristi padyshim më i mirë shqiptar, i cili me grupin e tij, solli shumë mbresa dhe u pëlqye shumë, duke ekzekutuar pjesë nga opusi i tij i njohur dhe i pasur. Kurse në mbrëmje skena në Çarshinë e Vjetër, u ndez me paraqitjen e grupit “Asgjë Sikur Dielli”, falë këngëve të të cilëve publiku i kënduan bashkë këngët e këtij grupi dhe Drenit .
Nata e gjashtë nisi pak më herët me gazetaren e njohur britanike Alice Taylor e cila si mysafire e festivali, promovoi librin e saj të veçantë dhe shumë mirë të përgatitur me titull “250 Adventures, apo 250 Aventura”. Nata e gjashtë, vazhdoj më pas me pjesëmarrësen më të re të festivalit, me këngëtaren e re dhe shumë të talentuar Troja Bicurri e cila këndoi disa këngë nga repertori i saj . Kurse më pas në skenën e parkut Ali Podrimja u ngjitën anëtarët e Grupi “NA” , të cilët publikut i dhuruan emocione dhe energji të rokut, duke i dhuruar audiencës emocione pa fund me hitet e tyre. Kurse një atmosferë fantastike në Çarshinë e Jupave solli sopranoja e njohur Hersi Matmuja e shoqëruar në violonçelo nga Jacopo Conoci, zëri dhe notat e të cilëve krijuan një mbrëmje shumë të çliruese duke ju dhuruar një kënaqësi pa fund publikut. Me zërin e saj Hersi shtoj ëmbëlsi dhe atmosferë emocionuese në Çarshinë e Jupave. Ndërsa atmosferë të mirë publikut të shumtë i dhurojë performanca e Dren Abazit ku publiku në Çarshinë e Madhe, këndoj njëzëri bashkë me Drenin duke kënduar shumë hite shqiptare.
Nata e shtatë, e fundit e festivalit “Ditët e Shqiptarit” që u mbajt në Parkun “Ali Podrimja” në Gjakovë , nisi me shfaqjen e filmit “Adnan Kafazi” i zhanrit të kombinuar komedi, krim dhe dramë që mbajti të gjithë shikuesit të mbërthyer pas ekranit. Kurse nata përmbyllëse e Festivalit ishte një sukses i madh falë performancës mahnitëse të Edona Reshitaj, e cila me energjinë e saj e ndezi skenën dhe dhuroi një mbrëmje të paharrueshme.