Divergjencat aktuale ShBA-BE dhe Kosova

01 mars 2025 | 10:16

Shkruan: Hajdin Abazi

Prej ardhjes së presidentit Trump president për herë të dytë i ShBA-ve, u dhanë sinjale se do të bëhen ndryshime jo vetëm brenda vendit, por edhe dhe sidomos në politikën e jashtme, respektivisht ne gjeopolitikën globale, që me sa duket do të shkohet drejt një rendi më ndryshe botëror, dhe që po trand konstelacionet e deritashme gjithandej. E kjo u shpreh në tri drejtime njëherësh: lufta ruso-ukrainase, lufta izraelito-palestineze dhe raportet ShBA-BE. Ende nuk dihet projekti për Ballkanin.
Presidenti Trup po e ndryshon qasjen ndaj luftë ruso-ukrainase, që të preventojë një Luftë e Tretë Botërore. Presidenti Trump parashtroi një vizion tjetër: ai po kërkon paqen dhe zgjidhjen. Kjo u bë një forcë shtytëse. Dhe dihet: pa mbështetjen e ShBA-së nuk ka gjasa Ukraina t’ia dalë. BE-ja po vazhdon me qëndrimin e deritashëm, duke shpërfaqur mospajtime me Trump. Kjo është divergjenca e parë midis ShBA-BE, ndoshta që pas luftës së Dytë Botërore.
Divergjencë u bë më e thekshme në OKB, kur me rastin e tre vjetorit të agresionit rus në Ukrainë, një rezolutë propozoi Ukraina dhe BE dhe një tjetër ShBA. Rezolutën e Ukrainës e të BE nuk e votoi ShBA e as Rusia, kurse rezolutën e ShBA e votoi Rusia por abstenuan Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. E para ishte në Asamblenë Gjenerale, kurse e dyta në Këshillin e Sigurimit, të OKB. Këto dy rezoluta pasqyrojnë dy kurse gjeopolitike, e para në trendin e mëparshëm, kurse e dyta menjë trend të ri – në fokus paqen.
Presidenti Trup po i vendos një taksë prej 25% mallrave të BE-së. BE-ja butësisht tha se nuk do të rrijë duarkryq. Madje presidenti Macron kërkoi që evropianët të mos mbajnë qëndrim vasal ndaj presidentit Trump. Kjo shënon një divergjencë tjetër midis ShBA-BE, në sferën e ekonomisë, saktësisht të shkëmbimeve tregtare.
Presidenti Trump ka dalë dhe me një ide për vendosjen e paqes midis izraelitëve dhe palestinezëve, duke ndryshuar konstelacionet ekzistuese etnike. Ndryshimi është drastik: shpopullimi i Gazë, rindërtimi i saj me një urbanizëm e arkitekturë që i ngjan Dubajit. Pastaj, rikthimi i palestinezëve në vendin e rindërtuar. Madje presidenti Trump publikoi një video-storje të bërë me Inteligjencën Artificiale me imazhet se si sot është vendi i shkatërruar dhe se si do të duket pas rindërtimit. Franca u deklarua kundër këtij projekti të presidentit Trump. Edhe BE mundet të mbajë një qëndrim të ngjashëm, gjë që do të ravijëzojë edhe më divergjencat ShBA-BE. Aq i gjasshëm duket ky projekt, sa që njëri prej liderëve të Hamasit deklaroi se po t’i dinte këto rrjedhoja nuk do të pajtohej me sulmin që kishte organizuar Hamasi kundër izraelitëve.
Divergjencat ShBA-BE lidhur me luftën agresore të Rusisë në Ukrainë, me rastin e tre vjetorit, u vërejtën edhe në Kosovën e largët nga Ukraina. Shënimi i këtij përvjetori të tretë u organizua nga ambasadat e vendeve të ndryshme në Kosovë, si Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe zyra e BE. U vërejt mungesa e ambasadës amerikan – dhe kjo nuk ishte rastësi. Tabloja tregonte qartazi divergjencat midis ShBA, BE dhe Britanisë së Madhe, e që prek raportet transatlantike. Pjesëmarrja e Kosovës me nivelet më të larta, ishte korrekte pasi që eventi zhvillohej në Republikën tonë, dhe ky nuk është aspak problemi.
Se si do të shkojnë rrjedhat, a do të thellohen apo të tejkalohen këto divergjenca, nuk mund të parathuhet, sepse janë shumë faktorë, rrethana dhe koniuktura që ndikojnë, ndërthurën e ndërveprojnë. Problem mund të jetë, ose të bëhet, qëndrimi i shtetarëve të Republikës së Kosovës.
Pse?
Në divergjencat ShBA-BE dhe anasjelltas Kosova duhet ta dizajnojë qëndrimin me shumë maturi e zgjuarsi, nga që, në këto rrethana kur dy aleatët tanë kryesor kanë divergjenca, ndodhet para një vështirësie të dyfishtë: ShBA-ja dhe Britania e Madhe janë aleatët strategjikë në mbështetjen e luftës për liri si dhe të pavarësisë; kurse BE-ja është shtëpia jonë si gjendje faktike (pjesë kontinentale) por ende jo edhe de jure (nuk jemi pjesë e BE). Në një gjendje të tillë, Kosova lidershipi kosovar duhet të jetë shumë i kujdesshëm. Të përmbahet nga deklarata implicit e eksplicit ose edhe me aludime.
Nga këndvështrimi im, edhe kryeministri Kurti e edhe presidentja Osmani nuk e kuptuan kontekstin e këtij trevjetori të luftës së Ukrainës, nuk treguan zgjuarsi diplomatike. Kryeministri, ndër të tjera, deklaroi: “Ne qëndrojmë me Ukrainën në luftën e saj për liri dhe demokraci”, kurse presidentja, ndër të tjera, tha: “lufta e Ukrainës është edhe lufta jonë”. Ndjehet qartë fryma evropiane në këto deklarata, por që kanë tingëllimë kundër qëndrimeve të reja amerikane. Kanë mundur të bëjnë formulime më ekuilibruese. Në këto tensione divergjencash, çdo deklaratë evidentohet si qëndrim. Nuk po them në asnjë mënyrë se lufta ukrainase nuk është e drejtë, se me këtë do t’i mohoja të gjitha vlerat për çka kur nuk bëri punë politika i rroka edhe armët, por po dua të them se detyrë mbi detyra e presidentes dhe e kryeministrit është Kosova dhe partneriteti edhe me ShBA e edhe me BE edhe me Mbretërinë e Bashkuar, dhe jo qëndrime herë andej e herë këndej.
Të kujtojmë se së shpejti pritet të vijë Grenell, emisari i posaçëm i presidentit Trump, për vizitë në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën. Ai nuk vjen për pushime vikendi. Ai do të vijë me një mesazh të Shtëpisë së Bardhë, mbase edhe të vetë presidentit Trump. Mund të ketë edhe projekte, vija të kuqe, ultimatume, deadline. Mund të jetë një “uragan” Trump. Nuk do të ketë shumë kohë e as hapësirë manovrimi. Duhet uniteti jo vetëm brendakosovar por edhe gjithëkombëtar. E liderët shqiptarë kanë kontribuar me përçarje e raporte kur as nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. A mund ta kalojnë rubikonin presidentja dhe kryeministri e të mobilizohen, apo do të vazhdojnë bixhozin i tyre në kurriz të Kosovës!?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Albin Kurti ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e…