
Divorci i Guardiolës me bashkëshorten po ndikon te Manchester City
Sezoni i Manchester Cityt mund të shpëtohet vetëm nga Champions League, pasi skuadra e Pep Guardiolës po kalon një moment të vështirë.
Disfata 5-1 kundër Arsenalit në “Emirates Stadium” ka nxjerrë në pah problemet e kampionëve të Anglisë, ndërsa trajneri katalanas po përballet edhe me vështirësi në jetën e tij private.
Thierry Henry ka analizuar situatën dhe ka shprehur keqardhjen e tij për atë që po ndodh me Guardiolën.
“Më vjen keq për atë që po ndodh te City dhe me Pep. Nuk është e lehtë ta përballosh atë që po përjeton jashtë futbollit”, – tha ish-sulmuesi francez, duke iu referuar ndarjes së trajnerit spanjoll nga bashkëshortja e tij, Cristina Serra, pas 30 vitesh martesë.
Henry ka ndarë edhe përvojën e tij personale në lidhje me këtë çështje: “E kam kaluar vetë një situatë të tillë kur isha te Barcelona. Nuk është aspak e lehtë kur nuk je mirë mendërisht. Duket qartë që Pep nuk është ai i zakonshmi. Askush nuk do të dëshironte të përballej me diçka të tillë, duke qenë nën vëmendjen e të gjithëve. Duhet ta kuptojmë”.
Sipas raportimeve të mediave spanjolle, Guardiola dhe Cristina Serra kanë jetuar të ndarë për më shumë se pesë vite.
Cristina ishte kthyer në Barcelonë së bashku me njërën nga vajzat e tyre, Valentina, 17 vjeçe, ndërsa Guardiola kishte mbetur në Manchester për të vijuar punën te City.
Vendimi për ta rinovuar kontratën me klubin anglez duket se ishte shkaku përfundimtar i ndarjes së çiftit, i cili ishte martuar në vitin 2014, pas 20 vitesh lidhje.