‘Divorcohen’ LDK-LV në Vushtrri, Tahiri i shkarkon të gjithë drejtorët e Vetëvendosjes

29 janar 2021 | 09:08

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje i kanë ndarë rrugët në qytetin e Vushtrrisë.

LDK’ja e cila udhëheq me këtë komunë ka prishur koalicionin me partinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Kjo  për shkak se këta të fundit nuk e kanë votuar dje Programin për Rimëkëmbje Ekonomike të Vushtrrisë.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryetari i komunës Xhafer Tahiri.

Ai tha se këtë qasje të Vetëvendosjes nuk do ta durojë më. 

“Në fakt dje LV’ja në Vushtrri nuk e ka përkrahur planin e Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë. Ky një plan i hartuar për të dal nga kriza, një prej planeve më të rëndësishme edhe për një koncept ndryshe, se si do të duhej të dukej politika lokale në Vushtrri për 10 vitet e ardhshme. Për këtë arsye unë dje i kam bërë të ditur nënkryetarit të komunës dhe kryetarit të Degës që unë në këtë mënyrë nuk mund të vazhdojë koalicionin”.

Sipas tij arsyetimi i asamblistëve të VV’së, për të mos e votuar këtë program, ka qenë se është vendim nga Kryesia e Degës së VV’së në këtë komunë.

“Arsyetimi ka qenë që është vendim i Kryesisë së VV’së për të mos votuar dje në Kuvend Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  dhe unë nuk mund të lejoj që vendimet në parti të ndikojnë në politikën apo në drejtimet që duhet t’i marrë komuna e Vushtrrisë apo për projektet e tjera siç ishte ai për Rimëkëmbjen Ekonomike të Vushtrrisë dhe shumë projekteve tjera të rëndësishme”, ka thënë më tutje ai.

Tahiri konfirmoi se tanimë i ka liruar nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë që i përkasin VV’së.

“Natyrisht që sot do të lirojë nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në komunën e Vushtrrisë. Tashmë edhe i kam liruar nga detyra”, ka deklaruar më tutje ai.

Express ka provuar të kontaktojë edhe me nënkryetarin e Komunës, Besim Muzaqi që vie nga radhët e Vetëvendosjes, por deri në momentin e publikimit të lajmit ai nuk është përgjigjur në telefonatat e gazetës.

Tahiri njoftoi se Plani i Rimëkëmbjes Ekonomike të Vushtrrisë ka tru masa apo propozime themelore që sipas tij duhet të aprovohen në Kuvend të Komunës dhe nga Qeveria e Kosovës.

“Moratorium katëvjeçar për asfalt, rialokim i buxhetit në projekte për punësim e zhvillim sepse 687 nga 750 km rrugë, ose 91% e rrugëve lokale në Vushtrri janë të asfaltuara. Vetëm granti qeveritar do të përdoret për asfaltim të rrugëve. 25 % ulje të tatimit në pronë në 4 vitet e ardhshme për qytetarët dhe bizneset e Vushtrrisë. 0 tolerancë për mos paguesit e tatimit dhe taksave komunale. Mbi200 milionë euro investime, publike dhe private në projektet vitale për transformimin e Vushtrrisë në 5 vitet e ardhshme”, ka njoftuar ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Politologu Belul Beqaj ka bërë me dije se fituesi i…