Dizajnimi i grafikonëve për të paraqitur suksese, partia e Kurtit akuzohet se po i manipulon qytetarët
Lëvizja Vetëvendosje po dizajnon grafikonë në përpjekje për të paraqitur atë që ata e quajnë sukses të jashtëzakonshëm të kësaj qeverie. Partia e Albin Kurtit po kritikohet se po i manipulon qytetarët me statistika, diku duke “vizatuar” me hile kolonat në grafikon, e diku duke veçuar vetëm disa muaj në matjet për progres.
Qeveria ka marrë për bazë katër muajt e parë të këtij viti dhe atij paraprak për të proklamuar një rritje të investimeve të huaja direkte.
Lëvizja Vetëvendosje të hënën ka publikuar një grafikon duke thënë se investimet e huaja direkte janë rritur këtë vit krahasuar me vitin e kaluar me një dallim prej mbi 70 milionë eurosh.
“Rriten investimet e huaja direkte. Afër +70 milionë euro më shumë investime të huaja direkte në Kosovë këtë katër mujorin e parë krahasuar me katër mujorin e vitit të kaluar”, ka shkruar partia në pushtet në një postim në “Facebook”, të cilit ia ka bashkëngjitur një grafikon të dizajnuar me këto të dhëna.
Por, LV-ja ka zgjedhur t’i marrë për bazë vetëm të dhënat e katër muajve të parë të viteve 2022 dhe 2023, jo më tepër.
Grafikoni i publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe anëtari i Lidhjes Demokratike, Berat Rukiqi ka thënë se bëhet fjalë për manipulim.
“Një tjetër manipulim statistikor dhe me infografikë nga zyra për propagandë e Lëvizjes Vetëvendosje. Kësaj radhe me shifrat e Investimeve te Huaja Direkte, duke krahasuar të dhënat e çerekut të parë të vitit 2022, me të dhënat e çerekut të parë të vitit 2023, pra duke i përdorur për krahasim muajt të cilët ju kanë konvenuar më shumë”, ka shkruar Rukiqi në “Facebook”.
Më tutje, Rukiqi ka vlerësuar se pushteti aktual nuk e ka filluar asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.
“Një qeverie, me performancën më të dobët në realizimin e investimeve kapitale, që nuk ka arritur të nis asnjë projekt të rëndësishëm për ekonominë e vendit, e për më shumë e ka përkeqësuar reitingun e Kosovës për investime të jashtme, duke prodhuar kriza te vazhdueshme, e vetmja rruge për të treguar ndonjë ‘sukses’, është tentativa për manipulim me statistika të paqëndrueshme dhe grafikone të hiperbolizuara”, ka shkruar Rukiqi.
Para dy javësh, njohësi i integrimeve evropiane, Shenoll Muharremi, ka shkruar në “Facebook” se si pushteti, sipas tij, po i manipulonte qytetarët me një tjetër grafikon të publikuar për paratë e mbledhura nga Dogana e Kosovës.
“Të hyrat në buxhet nga dogana janë rritur për 71 milionë euro, por pushteti po e paraqet “si me qenë 70 për qind”, kishte shkruar Shenolli.
Duke i paraqitur këto të dhëna, partia e kryeministrit Albin Kurti e ka “vizatuar” shumë të vogël kolonën e të hyrave në vitin e kaluar, ndërsa e paraqiti shumë më të madhe atë për të hyrat e këtij viti, ku dallimi duket shumë më i madh nga sa është në të vërtetë.
“Jemi lodhur me propagandë. Vetëm shikojeni grafikonin e manipuluar të pushtetit. Dmth ka rritje të të hyrave për 71 milionë nga viti 2022, por pushteti e paraqet me grafikon rritjen si me qenë 70 për qind. E mora mundin me e paraqitë grafikonin real si duket me shifra të njëjta sa me pa dallimin edhe nga Hëna nëse dëshironi. S’ka nevojë me manipuluar, vetëm bëjeni punën ashtu si duhet”, shkruante Shenolli.