Djali i dëshmorit të UÇK-së: Babë pusho i qetë, Ushtria e Kosovës po rrinë gatitu
Djali i dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Xhemajl Rexha, Dukagjini, me rastin e themelimit të ushtrisë së Kosovës, e ka përkujtuar babanë e tij me fjalë krenarie.
Mes tjerash, Dukagjini ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook” se me themelimin e ushtrisë së Kosovës, një ëndërr e hershme e babës së tij, u bë realitet.
“Po të mund të flisja edhe një herë me të do t’ja përcjellja këtë mesazh. ‘Tani pusho i qet babë se ëndrra jote u plotësua. Ushtria e Kosovës po rrinë Gatitu”, ka shkruar djali i dëshmorit, Dukagjin Rexhaj.
Postimi i plotë i Rexhajt në “Facebook”:
Po shihja me zemrën plot, deri sa të gjithë po festonin formimin e ushtrisë së Kosovës, nga dëshira e madhe për të përmbledh gjithçka në një shkrim vendosa ta shijoj për vet si fillim këtë ngjarje që u flijuan breza të ter për këtë arritje. Rrokën armën të gjithë shqiptarët që nga fëmija gjer të plaku. Zemra mal i bëhej malsorve vetëm atëherë kur i thoshin të lumtë pushka, ishte ajo më e shtrenjta gjë që mbronte nderin dhe burrërinë e shqiptarit, ishte ajo krismë që shporrte armikun kurdo që ia mësynte trojeve shqiptare. Po kjo frymë na çliroi dhe na mundëson sot që të jetojmë lirshëm, po kjo frymë doli para pushkës duke na mbrojtur Ne, e njëjta forcë do të na mbroj tani edhe zyrtarisht si Ushtria e Kosovës.
Një ëndërr e hershme e babës tim, u bë realitet, me kënaqësi po e shihja formimin e ushtrisë, dhe mendoja me vete sikur të ishte e mundur që edhe ai ta shihte. Po të mund të flisja edhe një herë me të do t’ia përcjellja këtë mesazh. Tani pusho i qet babë se ëndrra jote u plotësua. Ushtria e Kosovës po rrinë Gatitu.