Djali i El Chapos dhe lideri i kartelit meksikan të drogës Sinaloa arrestohen në Teksas
Një nga bosët më të fuqishëm të drogës në botë, Ismael “El Mayo” Zambada, lider i kartelit Sinaloa të Meksikës, është arrestuar nga agjentët federalë amerikanë në El Paso, Teksas.
Zambada, 76 vjeç, themeloi organizatën kriminale me Joaquin “El Chapo” Guzman, i cili aktualisht është i burgosur në SHBA.
BBC raporton se përveç tij është arrestuar edhe djali i Guzman, Joaquin Guzman Lopez, njofotoi departamenti i drejtësisë amerikane.
Në një deklaratë me shkrim të enjten në mbrëmje, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Merrick Garland tha se ata të dy udhëheqin “një nga organizatat më të dhunshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës në botë”.
“El Mayo dhe Guzman Lopez i bashkohen një liste në rritje të drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të kartelit Sinaloa, të cilët Departamenti i Drejtësisë po i mban përgjegjës në Shtetet e Bashkuara,” tha Garland.
Prokurorët amerikanë thonë se karteli Sinaloa është furnizuesi më i madh i drogës në SHBA.