Djali i Gucatit për vizitën e Haxhiut në Hagë: S’mund t’i harrojmë fyerjet ndaj krerëve të UÇK-së
Musli Gucati, djali i kryetarit të OVLUÇK-së, Hysni Gucati, ka folur për vizitën e sotme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai ka thënë se vizita e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në Hagë mund të jetë diçka e mirë, por që prapë nuk mund “t’i harrojnë asnjëherë fyerjet dhe ofendimet ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”.
“Ndoshta si institucion dhe Ministre e Drejtësisë, vizita e saj mund të jetë diçka e mirë dhe mund të jetë diçka produktive por mbetet për tu parë. Por, prapë se prapë nuk mundemi me i harruar asnjëherë ato fyerjet edhe ofendimet që i kanë bë ndaj ish udhëheqësve të UÇK-së”, ka thënë Gucati për “lajmi.net”.
Po ashtu, Gucati ka thënë se Haxhiu është dashur të mendohet pak më herët për një temë të tillë, duke shtuar se kur të akuzuarit e tanishëm ishin në liri, sipas tij, nga kampi i Haxhiut kanë ardhur akuza dhe fyerje të pabaza.
“Sa i përket vizitës së znj.Haxhiu unë mendoj së është dashtë me menduar pak më herët për këto gjëra, sepse kur kanë qenë ata në liri, të gjithë e dinë për akuzat e pabaza, për fyerjet që i kanë bërë çdo herë disa pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj këtyre që po akuzohen në Hagë padrejtësisht”, ka thënë ai.
Në këtë drejtim, duhet kujtuar që dy nga ish-udhëheqësit e UÇK-së që gjenden në Hagë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kanë refuzuar që të takohen me Haxhiun, dhe ky veprim i tyre ndërlidhet pikërisht me akuzat e Haxhiut në të kaluarën ndaj tyre.
Madje, ajo gjatë kohës sa ishte deputete, i kishte quajtur edhe “kriminelë” Thaçin e Veselin.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka nisur një vizitë në Hagë për t’i takuar siç ka thënë ajo ish-luftëtarët e UÇK-së të akuzuar nga Specialja.
I pyetur edhe për rolin e qeverisë aktuale në çështjen e ish-krerëve të UÇK-së të cilët janë Hagë si të akuzuar, Gucati ka thënë se tani është koha që edhe qeveria edhe opozita të bëhen bashkë në mënyrë që të kërkojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale.