Djali i Haxhi Shalës, Flakroni: E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, është ftuar të hënën për intervistim nga Gjykata Speciale.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar i biri i Shalës, Flakroni.
Ai ka thënë se Haxhi Shala është duke u intervistuar në zyrat e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) në Fushë Kosovë.
“E kanë ftuar për intervistim, deri më tani e kemi vetëm këtë informatë. Nuk i dimë arsyet, tani ndodhet në zyrat e EULEX-it në Fushë Kosovë”.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, nuk ka dashur të komentojë këtë rast, por ka konfirmuar se janë duke u zhvilluar operacione në Kosovë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke zhvilluar operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejme”, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë (REL) nga kjo zyrë.
Ndërkaq, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Malishevë, Metush Kryeziu, i ka thënë REL-it se forcat e EULEX-it kanë mbërritur në mëngjes në shtëpinë e Haxhi Shalës në fshatin Banjë të Malishevës.
Sipas tij, aty po zhvillohen bastisje.
“Në mëngjes kanë ardhur forcat e EULEX-it në pronat e tij, si zakonisht Specialja siç bën, arsyet nuk i dimë. Bastisjet po vazhdojnë në shtëpinë në Banjë të Malishevës. Ai është marrë në pyetje, është dërguar në EULEX në Fushë Kosovë, për më shumë nuk dimë”, ka thënë Kryeziu.
Së fundi, Specialja e ka arrestuar edhe ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj, nën dyshimin për pengim të drejtësisë.
Ndërkaq në muajin tetor janë arrestuar dhe transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë edhe Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, të cilët, sipas Speciales “akuzohen për frikësim dhe tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, përfshirë përmes kërcënimit të rëndë”.
Gjatë këtij viti, Specialja ka kryer bastisje në Kosovë.
Pa dhënë shumë detaje, prokuroria në Hagë kishte bërë të ditur se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.