Djali i Isni Kilajt i reagon Speciales: Mund të na merrni të zotin e shtëpisë por jo krenarinë për luftën
Pas arrestimit të ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Dhomave të Specializuara, ka ardhur reagimi i djali i tij, Bekim Kilaj.
Ai përmes një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se prangat në duart e babait të tij janë vazhdim i sakrificës për vendin.
“Po, mund ta ‘vizitojnë’ shtëpinë tonë, mund edhe të marrin me vete të Zotin e Shtëpisë, ashtu kryelartë e i buzëqeshur siç doli edhe sot. Por një gjë nuk mund të na marrin përjetë, KRENARINË tonë për luftën që ke bërë ti Bac bashkë me shokët t’u trima! Prangat në duart tua janë vazhdim i sakrificës për këtë vend! Ti, kurrë nuk ja ke kthyer supet vendit dhe shokëve t’u!”, ka shkruar djali i Isni Kilajt.
Ai tutje është shprehur i bindur se babai i tij do të dalë triumfues edhe kësaj radhe, si në gjitha betejat.