Djali i Jakup Krasniqit, Kurtit: Secili duhet t’i vizitojë ish-krerët e UÇK’së, ata s’janë atje për politikat e tyre
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, i ftuar në T7, ka komentuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti i cili para disa ditësh tha se nuk ka zhvilluar vizitë në Hagë për shkak se duhet të plotësohen shumë dokumente formularë.
Për këtë, djali i Jakup Krasniqit, Altini, tha se secili politikan duhet t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së në Hagë, pavarësisht partive politike.
Tutje, i njëjti tha edhe se, ish-krerët e UÇK-së nuk janë në Hagë për politikat e tyre.
Pos kësaj, Krasniqi ka deklaruar edhe se, ish-liderët duhet të vizitohen sepse është dhënë kontribut për luftën e drejtë të UPÇK-së.
‘‘Unë mendoj se secili politikan në Kosovë pavarësisht partive politike, duhet me i vizituar sepse është një kontribut që është dhënë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe atje nuk janë për politikat e tyre. Mendoj se secili duhet me e ditë kontributin. Se gjithë ata dashamirë që i kanë vizituar edhe babën tim edhe shokët e tij, u kanë një lehtësim për ta për me i kalu këto katër vjet që janë goxha të vështira edhe për familjet edhe për ata që janë brenda aty’’, ka thënë ai.