Djali i Maradonës: Babanë tim e vranë dhe i vodhën paratë

25 mars 2025 | 14:40

Diego Armando Maradona Sinagra, djali i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjyqin që po zhvillohet në Argjentinë për vdekjen e të atit.

Në një intervistë për emisionin spanjoll “El Chiringuito”, ai akuzoi drejtpërdrejt mjekët dhe infermierët që e trajtuan Maradonën, duke i fajësuar ata për vrasje. “Po ndjek nga afër gjyqin dhe është një periudhë shumë e vështirë për familjen tonë. Na presin kohë të rënda, por jemi të përgatitur”, ka thënë Maradona Jr., i cili aktualisht është trajner i klubit spanjoll UD Ibarra. Ai mbështeti teorinë e avokatit Fernando Burlando, duke pohuar se babai i tij u “vra në mënyrë djallëzore” në atë që ai e quajti “shtëpia e tmerrit”. Sipas tij, mjekët nuk ndërhynë në kohë dhe nuk bënë asgjë për ta shpëtuar Maradonën.

“Nëse do ta kishin trajtuar siç duhet, ai do të ishte ende gjallë”, ka theksuar ai. Gjithashtu, ai ngriti dyshime se përveç neglizhencës mjekësore, ka pasur edhe keqmenaxhim të pasurisë së të atit. “Jam i bindur se jo vetëm që nuk u kujdesën për të, por edhe i vodhën paratë”, ka shtuar ai.  Gjyqi për vdekjen e Maradonës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe pritet të zbulojë nëse mjekët dhe infermierët ishin përgjegjës për trajtimin e papërshtatshëm që çoi në ndarjen nga jeta të një prej ikonave më të mëdha të futbollit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Naim Maloku deklaroi të hënën në Hagë se vetëm…