Djali i Shpejtim Bulliqit punësohet në Qendrën e Studentëve, ky është vendimi
Arbër Bulliqi, djali i kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, është punësuar edhe zyrtarisht në Qendrën e Studentëve në Prishtinë, në pozitën e zyrtarit për Sport dhe Rekreacion.
Gazeta “Express” ka siguruar vendimin për rezultatet përfundimtare të këtij konkursi, ku Bulliqi është shpallur kandidat fitues me 80.5 pikë. Vendimi mban datën e sotme.
“Kandidatët e pakënaqur me rezultatin përfundimtar kanë të drejtë ankese në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë ditësh) ditësh nga data e publikimit të rezultatave, pranë Komisionit në Zgjedhjen e Konstesteve dhe Ankesave për Nëpunësit e Shërbimit Publik në Qendrën e Studentëve-Prishtinë”, thuhet në vendim.
Konkursi ishte hapur me 30 maj ndërsa me 8 korrik vetëm tre kandidat kanë plotësuar kriteret për t’u testuar me shkrim, ku i pari ishte listuar Bulliqi.
Për këtë konkurs ishte deklaruar Drejtori i Qendrës së Studentëve, Ekrem Rudari.
Ai ishte pyetur se a ka ndikuar pozita e kryetarit të Vetëvendosjes në Podujevë, Shpejtim Bulliqit në punësimin e djalit të tij në këtë pozitë, ai kishte thënë se “Bulliqi nuk është askushi për ne”.
“Konkursi është në proces. Unë nuk ndërhy në komision, ka kohë… Çfarë ndikimi mundet me pas? Ai nuk është prokuror. Ai mundet me qenë në Podujevë çka t ‘dush po tek ne nuk është askushi hiç”, kishte deklaruar Rudari.