Djali i të vetmit të mbijetuar në masakrën e Çabratit në Gjakovë refuzon kombëtaren e Belgjikës për Kosovën
Në Belgjikë po e quajnë Luka Modriç. Leartin me Modriçin e lidh edhe historia e trishtë, por edhe aftësitë e tij në fushën e blertë.
Leart Sadri Binaku, është djali i Agron Binakut, i vetmi i mbijetuar nga masakra në Çabrat të Gjakovës, ku iu vra gjyshi Sadri Binaku nga forcat paramilitare serbe, emrin e të cilit e mban me shumë krenari.
Sikurse Leartit, edhe Luka Modric iu vra gjyshi gjatë luftës në Kroaci, ku kroati edhe mban emrin e tij.
Familja e Leartit ka migruar në Belgjikë, nga një Kosovë e sapo dalur nga lufta, për të krijuar kushte më të mira të jetesës.
Learti luan si sulmues anësor por edhe mesfushor ofanziv. Ai prej moshës 4-vjecare luan lojën e bukur në klubet elitare belge si Standarde Liege dhe Sporting de Charleroi. Momentalisht, luan në ligën e parë belge prej ku ka marrë edhe ftesën për U-19 në kombëtare.
Learti ka refuzuar thirrjen e tyre, pavarsisht mundësive që i kanë ofruar, duke iu bashkangjitur përfaqësueses së Kosovës në U-19.
I pyetur se pse zgjodhi Kosovën, ai tha me plot krenari: Sepse m’u ka vra gjyshi për Kosovën!
Learti ka bërë paraqitjen e parë me Kosovën më 23 shtator, ku u grumbullua mes lojtarësh nga trajneri Maliqi, duke luajtur pjesën e parë kundër Lichtensteinit.
Ai tani po e pret thirrjen e përfaqësueses për grumbullim e U-19 në kualifikimet e EURO 2024.
Ai ka marrë numrin 7 tek përfaqësuesja, si numër simbolik për ta përkujtuar 7 majin e 99-ës, ku u vranë 26 banorë të paarmatosur të asaj lagje, mes tyre edhe gjyshi i tij.
Ambiciet e Leartit janë që sa më shpejt të ngritet në ekipin e parë, dhe të fitoj sa më shumë trofe në kampionatet më prestigjioze evropiane.
Në të ardhmen, ai e sheh veten duke luajtur në kampionatet franceze apo angleze, pasi që i pëlqen mënyra e të luajturit futboll atje, mirëpo asnjëherë për ndonjë kombëtare tjetër.
“E shoh veten vetëm duke luajtur për Kosovën”, tha ai.