Djali i Vuçiçit “person non grata” i Malit të Zi, Vuçiçi thotë që s’e ka ditur

08 nëntor 2021 | 20:04

Danilo Vuçiç, djali i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, ka qenë person i padëshirueshëm për shtetin e Malit të Zi.

Mediumi opozitar serb “Nova” dje raportoi se dyshohet që atij i ishte ndaluar hyrja në shtetin malazez për shkak të lidhjeve me një klan kriminal.

“Danilo Vuçiçi u shpall person me interes për sigurinë për shkak të afërsisë së tij me një klan kriminal që vepron si në Mal të Zi, ashtu edhe në Serbi. Disa herë në publik janë shfaqur pamjet ku Danilo Vuçiçi ka qenë në shoqërinë e disa anëtarëve të atij klani dhe këtë e kanë parë jo vetëm qytetarët, por edhe shërbimet e sigurisë dhe për këtë është vendosur që Danilo Vuçiqi të futet në këtë listë të personave, të cilëve u është ndaluar hyrja për masë paraprake në atë vend”, ka thënë një burim i mirëinformuar i “Nova”-s nga Mali i Zi.

Por për këtë, krerët e shtetit serb kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, në një prononcim për televizionin serb “Pink” tha sot se nuk ka pasur informacione se Danilo Vuçiçit i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi.

Ajo madje tha se mund të konfirmojë që as presidenti serb nuk e ka pasur këtë informacion.

“Kurrë nuk kam pasur asnjë lloj informacioni zyrtar për gjëra të tilla dhe e di që as presidenti Vuçiç nuk ka pranuar informacione të tilla, që është vërtet e pabesueshme”, tha ajo

Kryeministrja, që shpesh shndërrohet në mbrojtëse dhe zëdhënëse të Vuçiçit, ka thënë se në mediat serbe po bëhen “sulme të rënda” ndaj presidentit dhe qeverisë serbe.

“Ajo që po i bëhet presidentit Vuçiç me sulme ndaj familjes së tij, nuk ka kurrfarë lidhje me Danilon, është sulm direkt ndaj presidentit Vuçiç”, tha ajo.

“Sulmet bëhen drejtpërdrejt nga mediat në pronësi të Dragan Sholakut dhe Dragan Gjilasit dhe kjo është fushata më e ndyrë që kemi parë ndonjëherë dhe sapo ka filluar”, u shpreh Bërnabiçi.

Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dje deklaroi se nuk ka qenë në dijeni se djalit të tij, Danilos, i ishte ndaluar hyrja në Mal të Zi, e as që ka pranuar njoftim zyrtar për këtë.

Drejtoria e Policisë së Malit të Zi ka bërë të ditur dje se lista e të huajve të cilëve u është ndaluar hyrja në Mal të Zi, është rishikuar dhe prej saj janë hequr 18 persona, përfshirë Danilo Vuçiçin.

Presidenti i Serbisë ka mohuar pretendimet e disa mediave se djalit të tij i është ndaluar hyrja në shtetin fqinj për shkak të afërsisë me një klan kriminal që vepron si në Mal të Zi ashtu edhe në Serbi.

“Nuk jam informuar se nuk është lejuar të hyjë. As ai dhe as unë nuk morëm kurrë një shpjegim zyrtar. Ju dëshironi të thoni se nuk trillim i pastër, se, siç shkruajnë disa media, është për shkak të lidhjes me një grup kriminal, mirë, nuk është kështu. Është e mundur që për shkak se ka marrë pjesë dy herë në liturgji në Mal të Zi, ose dikush ka dashur të tregojë ‘si do ta trajtojnë presidentin e Serbisë’”, tha Vuçiçi në konferencën e djeshme për media.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesja e Kosovës U21 i ka nisur sot përgatitjet për…