“Djalli e vizitoi Reçakun” – fjalimi i William Walker që i detyroi perëndimorët t’i hapin sytë
Më 15 janar 1999 “djalli e vizitoi Reçakun”, kishte thënë Shefi i atëhershëm i misionit verifikues të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, kur nga afër kishte parë masakrën në këtë fshat nga forcat serbe.
Njësitet policore dhe ushtarake serbe u futën në çdo shtëpi veç e veç, ndanë burrat e fshatit nga familjet e tyre dhe vranë e masakruan 45 shqiptarë etnikë, 22 prej të cilëve u gjendën bashkë në një kanal, në mesin e tyre pleq dhe një fëmijë.
“Ky është krim kundër njerëzimit”, pati deklaruar ambasadori Walker mëngjesin e 16 janarit para gropës së mbushur me kufoma – varrezë masive që nuk ishte mbyllur – dhe fjala e tij u dëgjua në rruzullim, se populli shqiptar në Kosovë po shfarosej.
“Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit. Kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time”, pati thënë ai, fjali e cila për pak minuta qe bërë kryelajm i të gjitha mediave të botës.
Pasditen e 15 janarit, në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këshilltarët kryesorë të politikës së jashtme të Presidentit Bill Clinton ishin përplasur në “Dhomën e Situatave” rreth ndërhyrjes apo jo të SHBA-ve dhe NATO-s në Kosovë.
Sekretarja e Departamentit të Shtetit, Madeleine Albright, ndonëse nuk ishte akoma në dijeni për ngjarjen e llahtarshme që kishte ndodhur në Reçak, argumentoi se SHBA-të dhe NATO-ja duhej ta bombardonin “atë bir bushtre”, duke iu referuar udhëheqësit fashist të Serbisë Slobodan Millosheviç.
Mendimi i Albright-it për Millosheviç-in, patën thënë ndihmës të afërt të saj, ishte nxitur kryesisht nga ngjarjet që e karakterizuan Evropën e shekullit të njëzet. Ishte një mision shumë personal sepse edhe ajo kishte përjetuar një fat të njëjtë kur iku nga Çekosllovakia pas pushtimit nazist.
“Albright, më shumë se kushdo tjetër në këtë administratë, udhëhiqet nga biografia e saj. Ajo besonte thellësisht se Hitleri dhe tiranët e tjerë mund të ishin ndalur nëse do të përballeshim më herët me ta, dhe këtë pikëpamje e ndoqi edhe në Jugosllavi”, pati thënë një diplomat i lartë amerikan.
Katër ditë më vonë, komandanti i NATO-s, gjenerali Ëesley Clark, fluturoi në Beograd për t’u takuar me Millosheviç-in dhe me vete kishte marrë fotografi që dëshmonin masakrën e Reçakut, të cilat i vendosi mbi tavolinë.
Clark ishte i shoqëruar edhe nga gjenerali gjerman Klaus Naumann, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, dhe dhanë atë që Clark e quajti një paralajmërim “shumë të hapur” se aleanca është e përgatitur për të sulmuar.
Millosheviç-it nuk i pëlqente të kërcënohej, dhe pikërisht për këtë arsye, herë pas here Clark e kërcënonte atë. Millosheviçi ishte tërbuar. Ai pretendoi se Raçaku ishte inskenuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe madje e quajti edhe Clark-un një “kriminel lufte”.
Megjithatë, raporti i ekipit finlandez të Këshillit të Evropës nga mjekësia ligjore më vonë e konfirmoi se asnjëra nga viktimat nuk doli të ishte tjetër pos “civil i pambrojtur dhe i paarmatosur” për t’u pasuar nga deklarata e Këshillit të Sigurimit ku thuhej se Serbia ishte përgjegjëse për mizorinë.
Këshilli i Sigurimit gjithashtu shprehu shqetësimin për ikjen e 5 mijë e 500 civilëve nga Reçaku dhe e refuzoi vendimin e Beogradit që ta shpallte Walker-in persona non grata, për shkak se qartas kishte deklaruar për tmerrin që kishte parë.
Pas largimit të ambasadorit Walker nga Reçaku, banorët i mblodhën kufomat dhe i vendosën në xhaminë e fshatit, ku pritej që t’iu kryhej ceremonia e varrimit, por forcat serbe nuk lejuan varrosjen e trupave.
Pas gati një muaji, më 11 shkurt në Reçak u organizua ceremonia e varrimit të 45 trupave të civilëve të vrarë ndërkaq kthimi i trupave të tyre zgjati disa ditë pasi administrata jugosllave e asaj kohe, nuk ua dorëzonte familjarëve përnjëherë trupat e të vrarëve.
Masakra e Reçakut shënoi edhe kthesën e luftës së Kosovës, sepse vendet perëndimore, pas përpjekjeve të dështuara diplomatike për gjetjen e një marrëveshje me Serbinë, me 24 mars filluan bombardimet përmes forcave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA-të.
Evropianët ishin në favor të një pauze pas bombardimeve në mënyrë që t’i lihej kohë Millosheviç-it për t’i dhënë fund luftës. Pjesa më e madhe e evropianëve donin që fushata e bombardimeve të vinte pak e nga pak drejt rënies, para se NATO të shkatërronte gjithçka.
Por, SHBA-të dhe gjenerali Clark kundërshtuan. Gjenerali Clark deklaroi se: “Sipas mendimit ushtarak amerikan, kur ne fillojmë të përdorim forcën, kërkojmë të jemi të vendosur sa më tepër që të jetë e mundur”.
Evropianët kërkonin që bombardimet të përqendroheshin mbi forcat serbe të angazhuara në spastrimin etnik në Kosovë, por gjenerali Clark sërish kundërshtoi duke thënë: “Shumë amerikanë besojnë se mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të ndryshuar pikëpamjet e Milloshviç-it është ta godasësh atë dhe regjimin e tij sa më fort të jetë e mundur”.
Gjatë fushatës 78-ditore, NATO-ja bëri 38 mijë e 4 sulme, prej të cilave 10 mijë e 484 ishin misione sulmuese.
Mirëpo, sulmet e NATO-s kishin intensifikuar operacionet serbe, që nuk ishin më të përqendruara kundër UÇK-së. Ishte popullata civile ajo që ishte kthyer në cak në një fushatë të gjerë të zhvendosjes së dhunshme dhe të terrorit.
Reçaku ishte një episod tjetër në serinë e gjatë të vrasjeve masive, një ngjarje tronditëse dhe tmerruese, mizoria e së cilës mund të matet me anë të peshimit të hirit dhe plagëve që mbeten të hapura.
Çerek shekulli më pas, në përkujtim të përvjetorit të kësaj masakre, bëhen homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, ku janë të gdhendur emrat e çdo personi të vrarë. /Albanianpost