Djaloshi nga Bajgora, Nush Istrefi, dhe suksesi i tij frymëzues në Gjermani
Nga Mimoza Cika
Në afërsi të qytetit 2 mijëvjeçar, Këln, ndodhet qyteza e vogël me rreth 75 mijë banorë, Troisdorf. Me një natyrë të mrekullushme gjithë gjelbërim dhe me një sërë muzeumesh të njohur, Troisdorfi tërheq gjithmonë e më shumë turistë. Për shumë gjermanë dhe shqiptarë që jëtojnë aty apo diku pranë kanë fatin të vizitojnë edhe dy lokalet e drejtuar nga shqiptari nga Kosova, Nush Istrefi dhe i vëllai. Madje prej disa viitesh lokali, Aroma Cafe në Spietch pa frikë zë vendin e parë për frekuentim. Kafet, mëngjesi, ëmbëlsirat e shumta dhe sidomos akulloret speciale nuk kanë konkurrencë. “Aroma Cafe” dhe aroma shqiptare e dy vëllezërve Istrefi ka sfiduar çdo „rival“ të qytetit. Kjo jo pa arsye. Falë punës plot pasion dhe përkushtim të Nushit prej 30 vitesh në Gjermani, këto dy lokale tashmë janë kthyer në histori suksesi për familien Istrefi. Ndaj unë gjeta kohë ti takoja në lokalin „Aroma Cafe“ dhe të zbuloja rrugëtimin e tyre përmes një bisede me Nushin.
I lindur në Shalë të Bajgorës në Kosovë, një fshat piktoresk që ngjan për nga bjeshkët me ato të Zvicrës, Nushi dhe familja e tij e madhe prej gjashtë vëllezër dhe një motër ka pasur një fëmijëri interesante, të mundimshme por në një ambjent të shëndoshë atdhetar, tradicional shqiptar. Situata e rëndë në Kosovë në vitet 80′ dhe në vitet 90′ bëri që edhe Nushi të ndërpresë shkollën dhe të marrë rrugën e mërgimit duke zgjedhur Gjermaninë si një vend të sigurtë dhe me të ardhme për djaloshin kosovar. “Ishte koha kur padrejtësitë ndaj shqiptarëve po bëheshin të padurushme dhe ne si nxënës në Mitrovicë filluam të reagojmë ashpër”, kujton Nushi. “Pikërish një konflikt me disa shokë ndaj serbëve bëri që t´na burgosin, por pas lirimit pas një jave, u detyruam të largohemi nga Kosova. Situata ishte përkeqësuar shumë. Unë erdha në Gjermani. Ishte viti 1991”.
Pavarësisht vështirësive që hasi në fillim, Nushi u adaptua shpejt me kalimin e kohës dhe integrimi i tij me jetën e përditshme gjermane në këtë vend të madh në zemër të Europës e bëri atë më optimist dhe mjaft praktik për të gjetur veten. Atij iu desh shumë pak kohë për të nisur punën në një lokal pijesh. “Qe thjesht një rastësi që më ndryshoi jetën. Çdo ditë që shkoja në punë, zbuloja pasionin tim për këtë fushë. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të isha pjesë e Gastronomisë, aq më tepër këtu në Gjermani. Koktej-Bar kishte edhe muzike live dhe shumë të rinj vinin deri vonë duke shijuar atmosferën që unë dhe punonjësit e lokalit mundoheshin të krijonin me shumë dashuri”, shpreht me çiltërsi Nushi. Natyrisht që në këtë rrugëtim të suksesshëm, vështirësit janë gjithmonë bashkëudhëtare. Sidomos në fillimet e tij. Por me durim dhe vetëbesim, Nushi bashkë me të vëllain ia doli.
Mbi të gjitha, simpatia që ata krijuan tek klientët i bëjnë ata shumë krenarë. Pas suksesit tek restoranti që u krijua tek Pijetorja, Nushit i lindi ideja të hapë një lokal të ri, Aroma Cafe në lagjen Spich. Kafe, ëmbëlsira apo akullore….,gjithçka ndryshe dhe me shumë elegancë. Një ambjent modern, i mobiluar me shumë estetikë dhe me një staf profesional në shërbim, lokali është gjithmonë plot me njerëz brënda dhe jashtë në taracë, sidomos nga maji deri në tetor. Lokali, “Aroma Cafe” është bërë shumë i njohur për banorët e Troisdorfit. “Ja ka vlejtur ky investim”, thotë me sytë që i shkëlqejnë nga gëzimi, Nushi. “E patëm testuar këtë zonë dhe vepruam. Qytetarëve iu mungonte një lokal i tillë”. Një rrugëtim shumë i gjatë prej 30 vjetësh dhe jo i lehtë. Djaloshit me flokë të gjata i është dashur të bëj shpesh dy- tre punë njëkohësisht, por Gastronominë nuk e ka lëshuar asnjë ditë. Të dy vëllezërit tashmë kanë përvojë të gjatë dhe një klientelë që i bënë ata të gëzojnë respekt në Troisdorf dhe më gjerë.
Gjatë këtij udhëtimi biznesi, Nushi ndërkohë është bërë edhe baba i dy vajzave të mrekullueshme, të cilave për fat të keq iu ka një borxh të madh: Kohën e paktë për të qenë pranë tyre. “E kisha vërtet të vështirë t’i mbaja edhe gastronominë edhe familjen në një ‘kulm;. Nuk mbetej fare kohë për fëmijët. Atëherë tek Koktej-Bar, patëm bërë një ambjent edhe për fëmijët duke krijuar mundësinë që gjatë kohës kur punonim t;i kishim fëmijët pranë. Biznesi është i mirë por ka kosto të lartë për familje”, thekson ai.
Nushi nuk ka qëndruar asnjëherë pasiv edhe lidhur me aktivitetet e Diasporës Shqiptare në Gjermani. Ai është ndër anëtarët e parë të shoqatës kulturore në Këln “Ura Cult” duke kontribuar me të gjitha mundësitë e tij. Sot ai dëshiron që shoqatat të bëjnë më shumë për prezantimin e kulturës shqiptare në Gjermani. „Dikur ishim më shumë aktivë, sot edhe pse kemi shumë shoqata, aktivitetet kanë rënë. Koha është që shqiptarët në Gjermani të fokusohen tek kultura. Të prezantojnë arritjet e kultures sonë para publikut gjerman“.
Dy vëllezërit Istrefi tashmë kanë edhe firmën e tyre Immobilien (ndërtimtari, dhënie banesash me qera, menaxhim pronash) që nisi punën para 15 vjetësh dhe që duket se është synimi i tyre afatgjatë për të ardhmen, pas një përvoje të shkëlqyeshme deri tani. “Ky sektor sot për sot shihet si favorit dhe me shumë perspektivë”, vë në pah Nushi në fund të bisedës sonë. Pa diskutim që ta nisësh nga hiçi dhe të arrish deri në këto përmasa, tregon një histori suksesi të Nushit dhe vëllait të tij, një histori që të frymëzon për gjithë ata që kanë shumë “ëndrra në sirtarë”.
Një histori model për shumë të rinj shqiptarë që dëshirojnë të arrijnë diçka në jetë edhe këtu në Gjermani. Largohemi nga lokali Aroma Cafe bashkë me aromën shqiptare të mikpritjes së ngrohtë të Nush Istrefit dhe gjithë stafit , të cilit bashkë më vëllain Tal istrefi i urojmë suksese të mëtejshme në të ardhmen.