Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër planit evropian
Një protestë e organizuar nga studentët e Universitetit të Beogradit duke kërkuar refuzimin e propozimit evropian për Kosovën, është mbajtur në Beograd.
Protesta u mbajt nën sloganin “Studentët për Kosovën”.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë, thirrja për protestë u bë përmes rrjetit rus, Telegram, nga organizata e paregjistruar ultra e djathtë “Patrulla Popullore” që edhe më herët kishte organizuar protesta për të kundërshtuar politikat e Qeverisë serbe ndaj Kosovës.
Nga takimi në Fakultetin Filozofik u dëgjuan mesazhe për tradhtinë ndaj Kosovës, u kërkua refuzim i marrëveshjes, si dhe mesazhe kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton “Danas”.
Në protestë janë parë profesori Slobodan Samarxhiq, kryetari i Lëvizjes Popullore për Liri Miroslav Paroviq, kryetarja e shoqatës së qytetarëve “Pokret Ljubav Vera Nada” Nemanja Sharoviq, aktivistë të “Dveri”-t dhe të partisë djathtiste DSS-ja e Re.
Filip Kalmareviq nga Fakulteti i Shkencave Politike, i cili është edhe një nga organizatorët, tha se protesta nuk është partiake dhe se përderisa ata e organizojnë protestën nuk do të ketë politikanë dhe parti.
Kalmareviq është anëtar i lëvizjes serbe “Dveri” dhe ish-anëtar i Klubit Progresiv të Çedomir Antiqit.
Folësit, siç u tha, nga Fakulteti Juridik, Fakulteti i Shkencave Politike, Fakulteti Filozofik dhe Fakulteti i Bujqësisë, theksuan se plani franko-gjerman nënkupton marrjen e Kosovës nga Serbia dhe se nuk duhet të pajtohet me të.
“Jemi mbledhur për të mbrojtur identitetin dhe thelbin tonë”, tha njëri nga folësit, me turmën duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, “Jo dorëzim – herën tjetër në Prizren”.
Folësit u thanë autoriteteve serbe se nuk kanë marrë legjitimitet për “pranimin e planit franko-gjerman”, pra, siç kanë thënë, për tradhti, shkelje të Kushtetutës së Serbisë dhe dispozitave të së drejtës ndërkombëtare.
U theksua se sonte ishte një tubim fillestar që duhet të zgjojë komunitetin studentor në mbarë Serbinë, që të fillojë të merret me çështje sociale dhe kombëtare.
Folësit theksuan gjithashtu se qeveria në Serbi dhe presidenti Aleksandar Vuçiq tregojnë synimin e tyre për të pranuar planin për çështjen e Kosovës, ndërsa u dëgjuan thirrje si “Tradhti”, “Poshtë Qeveria” dhe “Dorëheqje”.
Folësit theksuan se ky nuk është dhe nuk do të jetë një tubim politik dhe në të nuk do të flasin politikanët dhe ftuan studentët dhe qytetarët e tjerë që t’i bashkohen.