Djathtizmi dhe majtizmi ndër shqiptarë është vetëm rrahagjoks!
Fadil Maloku
1. Gjeneza e diskursit majtist ose atij djathtist ka një histori të gjatë në kulturën e demokracisë dhe zhvillimit të filozofisë së historisë kapitaliste. Në pamundësi për t’i ndërtuar raportet dhe përvojën zhvillimore e emancipuese të kapitalizmit, në mentalitetin dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve në përgjithësi, posaçërisht atyre kosovarë, distingsioni sociologjik i të qenit “djathtist” dhe “majtist” në diskursin tonë jo vetëm politik, por as shkencor, akoma nuk është bërë me skapelin e shkencave shoqërore, sidomos asaj sociologjike.
2. Pra, është një deficit i llojit të vet shkencor sa i përket ndarjes dhe apostrofimit të asaj çfarë kuptojmë me “djathtizëm” dhe “majtizëm” me logjikën politike kosovare. Shikuar me dioptrinë sociologjike, në kulturën dhe etnopsikologjinë e qytetarëve mesatarë kosovarë, pas gjithë përvojës me katër palë zgjedhje, tek ata akoma vërehet një hamendje, kur dikë e pyet se “A je djathtist ose majtist?”
3. Po ashtu, edhe partitë aktuale politike që veprojnë dhe marrin pjesë në ritualin e pluralizmit, çka është edhe më interesant, nuk i kanë të qarta caqet e tyre ideologjike. Dhe ky absurd duhet t’i adresohet kryesisht mosnjohjes ose herë-herë edhe paragjykimit që kanë njerëzit, mediet, po edhe ekspertët, sidomos ata të fushës sociologjike. Në fakt, adresimi kah djathtizmi ose kah majtizmi, në rastin tonë, është më tepër një “lojë” propagandimi sesa në esencë ndonjë përcaktim i logjikshëm, i natyrshëm dhe i gjeneruar mu nga nevojat sociale, ekonomike ose edhe politike.
4. Dhe tërë ky pështjellim, e pse jo edhe tërë kjo “garë” (akoma jo edhe me konotime histerike?!) lidhur me këto çështje në rastin e Kosovës, do të thosha po bëhet ose po iniciohet pak a shumë edhe për shkak të përfitimeve mediatike, rrahjegjokseve për shkallë më të lartë të patriotizmit, por jo edhe rreshtimeve logjike dhe të natyrshme për t’i përfituar interesimet dhe pikësynimet e elektoratit, i cili, domosdoshmërisht, ka nevojë ta dijë se kah po shkon emancipimi i tyre politik, ekonomik dhe ai social.
5. Një arsye e fuqishme për këtë mjegullim të këtillë ideologjik, social, politik, sidomos ekonomik, duhet kërkuar edhe në mungesën e një shtresëzimi të fuqishëm social të shoqërisë së Kosovës. Në Kosovë, edhe sot e kësaj dite, kemi dy ekstreme ose dy paradokse të llojit të vet: në njërën anë kemi një klasë (një shtresë sociale), e cila është identifikuar si super e pasur (krahasimi gjithnjë bëhet me vetveten tonë) dhe ka lindur si pasojë e rrethanave shumë të dyshimta: lufta e ndodhur, kriminaliteti i shtuar publik, korrupsioni i identifikuar çka është shumë e keqe në institucionet të cilat janë të thirrura ta mbrojnë qytetarin nga kjo shëmti; dhe kemi klasën (ose shtresën) tjetër me shumicën dërrmuese të popullatës, e identifikuar me shtresën e varfër sociale.
6. Duket që determinantet ekonomike, sidomos ato sociale, në rastin e Kosovës do të bëhen “argumentet” më të qëndrueshme të përcaktimit ideologjik, ekonomik e social, lidhur me përkatësinë e partive politike. Dhe i gjithë ky proces gjenerues do të sistemohet me parametrat e mësipërm, ku sintagma “djathtizëm” dhe “majtizëm” nuk do të prejudikohet më përmes interesave parciale, grupore e klanore por, para së gjithash, do të bëhet një rrugëtim i natyrshëm dhe tejet logjik i përcaktimeve programore e kombëtare të shqiptarëve.
7. Liritë ekonomike, pra edhe në rastin e Kosovës, do të jenë parakushte jo vetëm për vendosjen e demokracisë, por edhe për mbijetesën e saj. I gjithë ky proces lyp, pa dyshim, përmbylljen e pavarësimit, shtetndërtimit dhe instalimit të demokracisë, si vetëdije dhe institucion jo vetëm social, e kulturor, por edhe sish moral.