Dje dështim, sot arritje: Si ndryshoi qëndrimi i Kurtit për marrëveshje e Avdullah Hotit në Uashington
Se kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë mandatit të tij nuk ka realizuar premtimet që ka dhënë është kuptuar, por që Kurti të “lëpij atë që ka pështy” kohë më parë, tashmë është bërë rutinë.
Këtë Kurti e bëri sot ku e lëvdoi marrëveshjen e Uashingtonit të arritur me 4 shtator 2020 në Shtëpinë e Bardhë, e nënshkruar kjo mes kryeministrit të atëhershëm Avdullah Hoti dhe presidentit amerikan, Donald Trump, shkruan Periskopi.
Kurti një intervistë të dhënë së fundi për gazetën spanjolle “El Mundo”, është pyetur mbi presidencën e Trumpit.
“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE e NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin priotet ta promovuar stabilitetin, ndërsa administrate Biden fuqizoi institucionet demorkatike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj që ShBA-të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin” , tha Kurti.
Por, në kohën kur kjo marrëveshje ishte arritur dhe vlerësohej si një ndër arritjet më të mëdha që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, Kurti foli zi e terr për të.
Kurti marrëveshjen e Uashingtonit e vlerësonte si “rrezik e dështim nga delegacioni kosovar”.
“Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë. Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai”, kishte thënë Kurti mes tjerash në një postim në Facebook.
Krejt çka kishte thënë Kurti e gjeni më poshtë:
Fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon.
Mbrëmë, në praninë e Presidentit Trump, kryeministri i paligjshëm i Kosovës dhe presidenti autokrat i Serbisë, secili, nënshkruan nga një marrëveshje me vetveten.
Nuk ka asnjë pikë që lidhet me marrëdhëniet me Serbinë në këto letra të nëshkruara që mund të cilësohet arritje nga delegacioni nga Kosova. Moratoriumi për çështjen e anëtarësimeve dhe vënia në diskutim e shfrytëzimit të Ujmanit janë dështim enorm i këtyre.
Të gjithë në rajonin tonë janë të vetëdijshëm që minishengeni ndihmon hegjemoninë e Serbisë në këtë pjesë të Evropës.
Krimet e dëmet gjatë luftës, borxhi që na e ka Serbia, u shpërfill a harrua nga delegacioni i Kosovës.
Koncensionet në planin e Ahtisaarit për manastiret dhe kishat nuk kishin pse rëndoheshin edhe më shumë në Washington DC, thua se nuk ka marrë boll Serbia.
Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, nuk janë mbrojtur e madje as adresuar problemet e tyre.
Serbia kërkoi dalje në det, e mori, kërkoi financa i mori, kërkoi devijimin e hekurudhës kah Merdarja e mori, kërkoi minishengen e mori, kërkoi të hiqej pika ku mes tjerash nënkuptohej njohja e hoqi. Pra, askund s’ka njohje reciproke të premtuar. Përkundrazi, Grenell e pranoi se ka pranuar ta heq atë.
Çfarë i solli Kosovës në raport me Serbinë ky delegacion? Dëm, turp e rrezik.
Ish presidenti amerikan Carter dikur ka thënë se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë afatgjatë nëse nuk fitojnë të dy palët. Por, në rrafshin ndërkombëtar mes Serbisë e Kosovës, Serbia po fiton gjithçka që synoi, ndërsa Kosova asgjë. Në rrafshin ekonomik sërish Serbia fiton më shumë, duke ju pranuar pozita e hegjemonit në rajon, kalim e tregti të lirë në Kosovë, dalje në det etj.
Izraeli duhet falënderuar, por njohja mes Kosovës e Izraelit është diçka mes vendeve tona, me ndihmën e ShBA-ve. Serbia nuk ka pse përfshihet në marrëdhëniet e Kosovës me Izraelin. Nuk po e blejmë njohjen nga Izraeli duke i lëshuar sovranitet Serbisë.
Ujmani, energjia, minishengeni, rrugët e Serbisë nëpër Kosovë, deri para pak ditësh kanë qenë të papranueshme si tema bisedimesh me Serbinë për partitë në Kosovë. Ky ndërrim i faqes, tregon sa të padenjë janë. Shkuan atje me premtimin për njohje, por kur Vuçiq ka thënë se nuk ka bisedime nëse nuk eleminohet njohja, këta nuk kanë guxuar të këmbëngulin. Kanë pranuar gjithë çfarë ka kërkuar ai.
Natyrisht, fushata zgjedhore në ShBA po vazhdon.