Dje Kurti u lajmërua nga Lubjana, sot duhet të paraqitet në Prokurorinë Speciale

16 dhjetor 2024 | 08:31

Prokuroria Speciale e pret kryeministrin e Kosovës sot në 09:30 për të dhënë dëshminë e tij në rastin e rezervave shtetërore. Megjithëkësaj, kryeministri mbrëmë vonë është lajmëruar nga Sllovenia nga ku flet për një koncert.

Kurti ka ndarë përshtypjen e tij nga salla “Marjan Kozina” e Filharmonisë së Sllovenisë, e cila sonte siç thotë ai “frymoi në gjuhën shqipe”.

“Zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, me një program të veçantë me përmbajtje kryesisht veprash shqipe me emra si Antoni, Rudi, Mengjiqi, Jashari, Tole dhe Syla, kumboi fuqishëm nën dirigjimin e maestro Baki Jasharit. Jashari ka kaluar më shumë se 20 vjet jetë me veprimtari muzikore në Slloveni. Rikthimi i tij në Lubjanë, sa ishte emocionues, aq ishte edhe mbyllje e një cikli të karrierës së jashtëzakonshme prej dirigjenti pas pensionimit të tij këtë vit. Pas koncertit, patëm kënaqësinë që në një pritje të ngrohtë të organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës, të takojmë diplomatë të shumtë, komunitet shqiptar që jetojnë në Slloveni, dhe miq e dashamirë të Republikës së Kosovës”, shkruan ai.

Para kësaj vizite në Slloveni, menjëherë një ditë pas thirrjes për intervistim nga Prokuroria Speciale, Kryeministri Kurti ishte për vizitë zyrtare në Kroaci, ku takoi atje Presidentin Zoran Milloneviq, si dhe Kryeministrin Andrej Plenkoviq.

Të enjten e 12 dhjetorit, Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të kreut të saj, Albin Kurti, për të cilën zëdhënësi Përparim Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.

Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30.

Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për këtë rast, atë kohë ishte ftuar për intervistim edhe Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, në cilësinë e të pandehurës, por ishte mbrojtur në heshtje, ndërsa kishte pasur edhe të arrestuar, Ridvan Muharremi, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Në gushtin e vitit të kaluar, Policia e Kosovës kishte bastisur Ministrinë e drejtuar nga Rozeta Hajdari për skandalin me Rezervat Shtetërore, pas disa audio-incizimeve të publikuara nga portali Nacionale, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendonin se vaji i kontraktuar dhe i paguar në Poloni për rezervat shtetërore të Kosovës, nuk mbërriti kurrë. Sipas audio-incizimeve e njëjta gjë kishte ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Kryeministri Kurti po atë periudhë kohore i ishte drejtuar qytetarëve përmes një video lidhur me këtë rast, ku kishte thënë se 97 për qind e vlerës së blerë kishin arritur në Kosovë, dhe se s’kishte kurrfarë korrupsioni e se kishte besim në Ministren e tij, Rozeta Hajdari.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kjo është java e fundit e punës së Gjykatës Speciale…