Është interesante se fituesi i Çmimit Nobel e përdori të njëjtin ilaç, por nuk e pëlqeu, sepse shkaktonte dhimbje koke vaskulare dhe më vonë refuzoi ta marrë dhe në fund vdiq nga sulmi në zemër, që është një farë ironie, sepse e gjithë puna e tij sillej rreth nitroglicerinës; ai ishte sipërmarrësi që arkëtoi dhe e prodhoi atë. Është e pabesueshme që krijuesi i Çmimit Nobel vetë prodhoi nitroglicerinën në fabrikat e tij që na mundësoi që më vonë ta kuptojmë se si funksiononte ajo.
BIOLOGJIA E SHEKULLIT
Si ndodhi që ilaçi Viagra doli nga oksidi nitrik?
Ndodhi në mënyrë indirekte. Nga mesi i viteve 1970 ne e dinim se çdo komponent, çdo ilaç që do të rriste akumulimin e cyclo-GMP, qoftë oksid nitrik qoftë nitroglicerina ose ndonjë ilaç tjetër kardiovaskular ose ilaçe të tjera, që mbartnin degradimin në aktivizim, do të relaksonin muskujt. E dinim gjithashtu se kjo do të relaksonte ndoshta enët e gjakut. Mekanizmi për ereksion është relaksimi i enëve të gjakut. Në atë kohë ne nuk e kuptuam dobinë që kishte kjo gjë për impotencën. Bile bënim shaka në laborator se si ndoshta mund të prodhonim një kondom me oksid nitrik.
Oksidi nitrik qe shpallur “molekula e vitit” më 1992, por tashmë që ajo ka çuar në zbulimin e Viagrës, a do të pajtoheshit që ta emërojmë atë “molekula e shekullit?”
Ndoshta më mirë është të themi “biologjia e shekullit.” Më lejo të të them diçka që ta kuptosh këtë më mirë. Botimi ynë i parë për efektet e oksidid nitrik ishte ai i vitit 1977. Sot ka pothuajse 15 000 botime për këtë çështje, pra më shumë se në çdo fushë tjetër me sa di unë. Shumica e këtyre shkrimeve janë botuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Sot ka pak fusha në biologji ku oksidi nitrik nuk luan njëfarë roli. Është e pabesueshme se si nuk ia kemi ditur vlerën këtij elementi më parë, që në realitet është përdorur aq shumë. Ne e kuptuam se kishim zbuluar këtë mekanizëm të relaksimit të muskujve nëpërmjet nitroglicerinës, për të cilën parashikuam se do të kishte efekte të tjera që do të ishin të rëndësishme për efektet hormonale. Nuk e kishim idenë që nga kjo do të zbulohej një ilaç kaq më rëndësi dhe i cili do të bëhej një gjë kaq e popullarizuar. Oksidi nitrik gjendet në tymin e makinave, në tymin e cigares dhe gjëra të tjera kombustile. Oksidi nitrik ka qenë problem për shumë vjet si ndotës në shtresën e ozonit. Pikërisht atje është vënë i gjithë theksi i kimisë. Askush nuk ka ëndërruar kurrë se oksidi nitrik, një substancë helmuese do të ishte një molekulë e rëndësishme në trup deri sa ne e zbuluam këtë fakt të rëndësishëm. Askush nuk na besonte në fillim. U deshën vite të bindej bota se zbulimi ishte interesant dhe i rëndësishëm.
Sa vite u deshën që zbulimi juaj të pranohej nga komuniteti shkencor si një zbulim madhor?
U deshën 7-10 vite. Sa herë që botohet një dorëshkrim në shkencë, shkencëtarët fillimisht e shikojnë me skepticizëm. Për ne u deshën 10 vjet deri sa komuniteti shkencor të thotë se ajo që kishim zbuluar ne meritonte respekt dhe se ishte diçka shumë e rëndësishme.
Meqenëse oksidi nitrik gjendet në tymin e cigareve dhe ju po thoni se ai ndihmon sistemin vaskular, a mund ta justifikojnë duhanxhinjtë vesin e tyre si diçka të dobishme, duke thënë se tymosja është e mirë për zemrën?
Unë nuk do të doja që ata të mendojnë kështu, sepse në duhan ka kaq shumë gjëra të dëmshme saqë përkundër anës pozitive të oksidit nitrik, në cigare ka qindra gjëra të tjera të këqija që janë të tmerrshme dhe shkaktojnë kancer dhe infeksion.
Përveç se oksidi nitrik shëron impotencën, a ka mundësi që ky element të kurojë ndonjë sëmundje tjetër në trupin e njeriut?
Natyrisht se po. Ai luan rol në agregimin dhe në mpiksjen e gjakut. Ai luan rol në sistemin nervor. Luan rol në kurimin e infeksioneve të bakterieve, viruseve dhe parazitëve. Luan rol në jashtëqitje. Lista është e gjatë. Siç thashë, ka pak fusha në biologji ku ai nuk luan rol. Për çdo fushë ku ju ta çoni mendjen, ai ndikon.
Si e ndiet veten kur morët vesh se kishit fituar Çmimin Nobel?
Isha shumë i entuziazmuar. Ishte ora katër e mëngjesit kur më thanë dhe gëzimi ende po vazhdon. Jam i sigurt se kjo gjendje do të vazhdojë një kohë të gjatë. Mendoj se unë nuk kam ndryshuar, pra nuk jam as më i mençur as më budalla sesa ishe javën e kaluar para se ta fitoja Çmimin, dhe se drejtimi i kërkimeve të mia nuk do të ndryshojë. Unë vazhdoj të punoj në këtë fushë dhe shpresoj se do ta kaloj gjithë jetën duke bërë hulumtime shkencore. Por, çmimi që kam fituar do të më mundësojë që të veproj kështu dhe të ndikoj në procesin e shkencës dhe të shëndetit mjekësor dhe sidomos të ndikoj tek të rinjtë që janë të interesuar të merren me shkencë. Njerëzit do të më dëgjojnë tani dhe kjo është një arritje e pabesueshme dhe shumë e këndshme.
PËR POPULLIN SHQIPTAR DO TA JEPJA DORËN E MAJTË
Po të mos ishte Viagra e lidhur me zbulimin tuaj, a mendoni se do të kishit marrë kaq shumë publicitet?
Sigurisht që Viagra e ka tërhequr edhe më shumë publikun. Njerëzit tash kuptojnë këtë ilaç që është ndër zbulimet më të mëdha përsa i përket tregut të shitjeve dhe fitimeve. Publiku është në dijeni të këtij ilaçi përmes botimeve më serioze deri te shakatë e Davit Lettermanit dhe Jay Lenos. Kështu, kur doli Viagra, njerëzit kishin njëfarë dijenie edhe për nitroglicerinën. Isha një natë më pas në një restorant dhe një xhentëlmen që ishte ulur në tryezën pranë, më njohu nga intervistat në televizor. Mu afrua duke ma dhënë dorën, nxori shishen me nitroglicerinë dhe më tha :”Faleminderit që zbulove efekte te kësaj”.
A ka ndryshuar jetën tuaj Çmimi Nobel, me përjashtim të vëmendjes së medias?
Oh, po. Fëmijët e mi nuk po mund ta besojnë, të afërmit miqtë, nipat e mi. Kushdo është gëzuar. Kam marrë telefonata nga Turqia dhe Egjipti për shkak të emrit tim mysliman. Do t’ua dija për nder nëse do të informoni për mua në Shqipëri. Do të doja gjithashtu të takohesha me komunitetin shqiptaro-amerikan në Nju-Jork në të ardhmen.
Po qe se do të mund të sillja paqen për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, do të jepja dorën time të majtë. Gjithë këto gjëra të tmerrshme që po ndodhin në Kosovë dhe në Ballkan, duhet t’u jepet fund. Në shkencë ka një gjë të bukur, atje nuk ka rëndësi se çfarë feje apo kombësie i takon nëse jeni shkencëtar i mirë, nëse doni njëri-tjetrin dhe e shprehni, bota do të duhej të jetonte në paqe.
Nuk e kam vizituar kurrë Shqipërinë, por nëse do të jem në gjendje ta vizitoj atë një ditë, do ta bëja këtë gjë me dëshirë. Por, do të doja ta vizitoja në momentin kur nuk do të ndjehesha i rrezikuar.
Do të doja gjithashtu t’u jepja një mesazh të gjithë emigrantëve të rinj dhe njerëzve të varfër që duan të përparojnë, ashtu siç kam bërë edhe unë. Ky vend (Amerika) është i mrekullueshëm dhe nëse punoni me zell, motivoheni dhe arsimoheni, mund të arrini gjithçka. Sa i përket komunitetit shqiptar, kur të takohemi, fatkeqësisht nuk do të jem në gjendje të flas shqip, por ju premtoj se do të mësoj disa fjalë deri atëherë. Si thua? /Telegrafi/