
Djokoviq eliminohet në raundin e parë edhe në Indian Wells
Plani për t’u rikthyer në majën e botës ka dështuar që në hapat e parë për tenistin serb Novak Djokovic. Ish-numri 1 në botë u mund sot 2-1 (6-1, 3-6, 6-1) nga holandezi Botic van de Zandschlup.
Një humbje e papritur, që erdhi që në raundin e parë të turneut Masters 1000 të Indian Wells, event ku ai ka triumfuar 5 herë në karrierën e tij. Një lojë shumë e dobët e Djokovic, që dukej si një fantazmë në fushë.
Ky është eliminimi i dytë në pak javë që në raundin e parë për serbin, që më herët ishte mundur në debutim edhe në Doha. Kjo është hera e parë pas 7 vitesh që Djokovic humbet tri ndeshje radhazi në karrierën e tij.
Kjo e bën edhe më të afërt tërheqjen e tij nga tenisi (38 vjec në maj), pasi niveli është dukshëm larg atij që jemi mësuar të shohim. Shifrat e Djokovic në këtë sezon janë vërtet alarmante.