Djokoviqi tërhiqet nga US Open, Federeri shkon në çerekfinale
Një dëmtim në shpatull e ka detyruar tenistin serb Novak Djokoviq të tërhiqet nga grand slam i US Openit. Numri 1 në botë për meshkuj, në ndeshjen e raundit të katërt, po luante ndaj zviceranit Stanislas Wawrinka. Në shifrat 2-0 me sete për Wawrinka (2-1 për zviceranin me game në setin e tretë), Djokoviqi vendos të tërhiqet nga ndeshja, duke mos mbrojtur dot titullin kampion.
Në çerekfinale shkon edhe një zviceran tjetër, Roger Federer, që mundi me lehtësi 3-0 (6-2, 6-2, 6-0) belgun David Gofn. Ndeshje e mirë për Federerin, që pati epërsi në të tre setet, duke dominuar në lojë dhe e meritoi kualifikimin.
Nuk zhgënjen bullgari Grigor Dimitrov, që mundi 3-0 (7-5, 6-3, 6-4) australianin Alex De Minaur, duke avancuar në çerekfinale. Një biletë për në çerekfinale siguroi edhe rusi Daniil Medvedev, që mundi 3-1 gjermanin Dominik Koepfer, raporton “Telesport”.
Serena Williamsi është kualifikuar për në çerekfinalet e grand slam të US Openit, pas fitores 2-0 (6-3, 6-4) ndaj kroates Petra Martic. Tenistja amerikane, finaliste një vit më parë, po tregon një formë të mirë, gjithnjë e në rritje nga ndeshja në ndeshje. Ndaj Martic ajo pati epërsi në të dy setet, duke luajtur mirë dhe e meritoi fitoren. Surprizë eliminimi i tenistes australiane Ashleigh Barty, fituese e Roland Garros këtë vit, që u mund 2-0 (6-2, 6-4) nga kinezja Qiang Wang. Një eliminim i papritur i ish-numrit 1 në botë, që ndaj një rivale pak të njohur, bëri një paraqitje të dobët. Tenistja britanike Johanna Konta mundi 2-1 (6-7, 6-3, 7-5) Karolina Pliskovën në ndeshjen më të bukur të raundit të katërt të luajtur të hënën. Pliskova e nisi mirë ndeshjen, duke fituar në “tie-break” setin e parë, por shpejt Konta rikuperoi, duke fituar me përmbysje. Fitoi edhe tenistja ukrainase Elina Svitlona, që mundi 2-0 (7-5, 6-4) amerikanen Madison Keys, finaliste në këtë turne dy vjet më parë. Edhe pse Keys kishte mbështetjen e publikut, kjo nuk mjaftoi, me Svitolina që u tregua më e saktë në fushë.