DKA-të pajtohen për plan të ri për zëvendësimin e orëve të humbura
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të drejtorëve komunalë të arsimit, ku të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, BSPK-së dhe KMDLNJ-së.
Në këtë takim, është diskutuar për zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë grevës së mësimdhënësve, me ç’rast të gjithë drejtorët e Drejtorive Komunale të Arsimit (DKA) janë pajtuar se duhet të zëvendësohen këto orë, duke qenë se është interes i nxënësve.
Gjatë këtij takimi, ministri Bytyqi ka theksuar se vendimi i tij është në fuqi, por në një situatë të re duhet të ndryshojë formula e zëvendësimit të orëve të humbura, ndërsa drejtorët e DKA-ve janë pajtuar se duhet të zbatohet Udhëzimi Administrativ që ka të bëjë me normativin dhe kalendarin shkollor dhe se do të bëjnë një plan të ri, secili për komunën e vet, për zëvendësimin e orëve të humbura.
Ministri Bytyqi ka theksuar se MAShT-i është e gatshme t’i përkrahë drejtorët në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se i përkrahë kërkesat e SBAShK-ut, por kërkesat e Sindikatës dhe zëvendësimin e orëve i sheh si dy procese të ndara.
/Epoka e re/