DnV: Gjuha denigruese dhe dhuna janë në kundërshtim me vlerat e garës zgjedhore
Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, iu ka bërë thirrje kandidatëve të partive të përmbahen nga sulmet fizike e verbale.
Përmes një reagimi, DnV-ja ka vlerësuar se gjuha denigruese dhe dhuna janë në kundërshtim me vlerat e garës zgjedhore. “Liria e fjalës paraqet një ndër liritë fundamentale të njeriut, por e njëjta kufizohet në momentin e cenimit të të drejtave fundamentale të të tjerëve. Gjuha denigruese dhe seksiste e shpërfaqur në debate televizive në mes të kandidatëve, përveç që dëmton rëndë procesin zgjedhor, e minon vlerën e debatit dhe i kontribuon tensionimit të ambientit politik. Për më tepër, dhuna e ushtruar në çfarëdo forme është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Aktet e dhunës dëmtojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor, krijojnë ambient të pasigurt politik dhe rrezikojnë të nxisin përplasje qytetare”, është thënë në reagimin e DnV-së.
Sipas këtij koalicioni të OJQ-ve, subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate. “DnV-ja u bën thirrje kandidatëve të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit, të përmbahen nga gjuha denigruese e seksiste, sulmet verbale dhe fizike. Subjektet politike dhe kandidatët e tyre duhet të kultivojnë vlerat bazike të demokracisë duke treguar pjekuri dhe profesionalizëm në debate dhe duke lejuar konkurrueshmëri të ideve dhe platformave”, ka vlerësuar DnV-ja, duke ftuar Policinë e Kosovës, që të reagojë shpejt dhe në mënyrë efikase në qartësimin e situatave dhe në informimin e drejtë të publikut.
/Epoka e re/