DnV iu bën thirrje subjekteve politike dhe institucioneve përgjegjëse për garantim të zgjedhjeve të lira
Sot, koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, organizoi konferencën e parë ku u bënë publike struktura dhe komponentët e misionit vëzhgues të DnV-së për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Ismet Kryeziu ka thënë që DnV-ja është duke përcjellë me vëmendje periudhën para përgatitore të këtyre zgjedhjeve, që nga shpallja e tyre nga ushtruesja e detyrës së presidentit të vendit.
Kryeziu ka thënë disa elemente, të cilat u tha se kanë karakterizuar këtë periudhë, me theks fillimi i fushatës zgjedhore të subjekteve politike para afatit dhe mosrespektimi i duhur i masave kundër pandemisë në fushatë, pavarësia e KQZ-së, operacioni i votimit jashtë vendit, certifikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe përfshirja e grave në procesin zgjedhor.
Sa i përket fushatës parazgjedhore, ai ka ka vlerësuar se është duke vazhduar praktika e deritanishme e mospërfilljes së afatit zyrtar të fushatës zgjedhore nga subjektet politike.
Sipas tij, shumica e tyre po vazhdojnë me organizimin e aktiviteteve dhe takimeve në terren, si dhe me prezencën e tyre në debate televizive, tanimë edhe përmes transmetimit të aktiviteteve të sponsorizuara.
Kryeziu ka thënë se DnV-ja ka vërejtur mosrespektim të vendimeve të qeverisë lidhur me parandalimin e përhapjes së pandemisë nga subjektet politike garuese në zgjedhjet e 14 shkurtit, në pjesën më të madhe të aktivitetet publike të cilat ata kanë zhvilluar.
“DnV i rikujton të gjitha institucioneve të vendit si dhe partive politike se KQZ është institucion i pavarur dhe kolegjial, vendimet e së cilit merren me shumicë të votave të përfaqësuesve të partive politike. DnV nënvizon rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë dhe integritetit të këtij institucioni dhe bën thirrje që të hiqet dorë nga tentativat për ndërhyrje apo ushtrim të presionit ndaj punës së KQZ-së”, ka thënë Kryeziu.
DnV gjithashtu dënoi gjuhën e përdorur ndaj kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, dhe linçimet publike të bëra në drejtim të saj, duke kërkuar që pakënaqësitë lidhur me vendimet e marra nga KQZ të adresohen përmes mekanizmave dhe procedurave ankimore.
Lidhur me vendimin e djeshëm të KQZ-së për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, u potencua që Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme rregullon përgjegjësinë e institucioneve përgjegjëse dhe mekanizmave për certifikim të subjekteve politike dhe listave të kandidatëve.
Andaj, DnV u bëri thirrje subjekteve politike që t’i ndjekin procedurat e parapara për certifikim.