DnV-ja: 2.6 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë

06 tetor 2019 | 09:38

Demokracia në Veprim po vëzhgon mbarëvajtjen e procesit zgjedhor me praninë e vëzhguesve të saj në të gjitha vendvotimet në gjithë vendin.

Ismet Kryeziu nga DnV-ja ka treguar arsyet se pse kanë ndodhur këto vonesa.

“Sipas të dhënave të terrenit, me vonesë janë hapur 60 ose 2.6 % e vendvotimeve.

Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në hapjen me vonesë të këtyre vendvotimeve lidhen me vonesën e ardhjes së komisionerëve në vendvotime, që është edhe shkaku më i theksuar i raportuar. Vonesën e materialeve zgjedhore në vendvotime. Më të shprehurat kanë qenë problemet me vula (6 raste) e shprehur në komunën e Shtërpcës dhe Listë të Votuesve (2 raste)”, ka thënë Kryeziu.

Vëzhguesit e DnV-së, kanë raportuar për prani të materialit propagandues të subjekteve politike brenda perimetrit prej 100m të Qendrës së Votimit, edhe pse kjo është e sanksionuar me nenin 85 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme (LZP).

Ai ka treguar se posterë të ndryshëm janë vërejtur në afërsi të 63 nga 895 Qendra të Votimit në nivel vendi ose (7 %).

Demokracia në Veprim (DnV) është koalicioni vendor i organizatave joqeveritare kosovare për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ky koalicion ka vëzhguar të gjitha proceset zgjedhore që nga 2007.

Për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, DnV ka akredituar rreth 2700 vëzhgues, ndërsa 100 ekipe mobile, 150 vullnetarë në qendrën e thirrjeve dhe dhjetëra staf shtesë janë vënë në mbështetje të këtij kontingjenti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti Hashim Thaçi përmes një postimi në llogarinë e vet…