DnV-ja: Deri në ora 13:00 kanë votuar 19.8 për qind e votuesve

14 shkurt 2021 | 14:14

Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 13:00, dalja e qytetarëve në votim në nivel vendi është raportuar të jetë 19.8 për qind (margjina e gabimit 0.52 për qind).

Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2 për qind më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, dalja në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë sillet në kuadër të mesatares së përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar dalje më të ulët për 2 për qind, ndërsa dalja në Prizren është edhe më e ulët përkatësisht 4 për qind më e pak se mesatarja në nivel vendi.

Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10 për qind mesataren e daljes në nivel vendi.

Deri në ora 13:00, në 26 për qind të vendvotimeve, është raportuar për zbatim të pjesërishëm të masave për parandalimin e shpërndarjes së Covid-19 gjatë votimit, ndërsa në 1 për qind të vendvotimeve këto masa nuk po respektohen fare.

Në 41 për qind të vendvotimeve, kërkesa për të hequr maskën për nevoja identifikimi është bërë vetëm pjesërisht, ndërsa në 27 për qind të vendvotimeve votuesve nuk u është kërkuar fare heqja e maskës.

Deri në orën 13:00, në 92 për qind të vendvotimeve nuk ka pasur asnjë rast të votimit me dokumente jo valide. Ndërsa në vetëm 7 për qind të vendvotimeve kjo parregullsi është hasur në raste të izoluara (deri në 4 raste).

Deri në orën 13:00, në 45 për qind të vendvotimeve nuk është raportuar për vështirësi në gjetjen e emrit në Listën e Votuesve. Sidoqoftë në 48 për qind të vendvotimeve këto vështirësi kanë qenë evidente deri në 10 raste.

Deri në orën 13:00, në 62 për qind të vendvotimeve është raportuar për votim me asistencë e cila është regjistruar në librin e votimit (deri në 10 raste). Ndërsa, raste kur votimi me asistencë nuk është regjistruar në Librin e Votimit ashtu siç e përcaktojnë rregullat është evidentuar në 12 për qind të vendvotimeve në raste të izoluara (deri në 10 raste).

Deri në orën 13:00, raste të fotografimit të votës janë hasur në 4% të vendvotimeve (deri në 1-4 raste).
Është raportuar për një incident në vendvotimin 1708C/04R, ku dy komisionerë janë larguar për të votuar dhe nuk janë kthyer për një periudhë më të gjatë se 2 orë. Rolin e tyre e ka ushtruar një vëzhguese nga një subjekti politik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti Milaim Zeka, i cili është i infektuar me Covid…