DnV-ja i bën thirrje KQZ-së të anulojë votimet në veri të Kosovës
Organizata Demokracia në Veprim ka vlerësuar se votimi në veri të Kosovës është dështim për shkak të mungesës së pjesëmarrjes së qytetarëve dhe sfidave të organizimit.
Në shumë qendra votimi të veriut të Kosovës, këtë të diel nuk janë plotësuar kushtet për të garantuar një proces votimi të lirë dhe të drejtë, thotë Ismet Kryeziu, përfaqësues i organizatës DnV.
Kryeziu ka shprehur shqetësimin se pjesëmarrja e ulët është rezultat i ndikimit të Listës Serbe dhe politikave të Beogradit.
Sipas tij, ky votim është i dështuar në aspektin e pjesëmarrjes së qytetarëve me të drejtë vote, duke bërë thirrje për anulimin e procesit zgjedhor.
“Në aspektin ligjor, në masë të madhe plotësohen kriteret ligjore për organizim, por gjithsesi si pjesëmarrje janë të dështuara. Ne edhe më herët i kemi bërë thirrje KQZ-së që të anulojë këtë proces. Duke marrë parasysh koston financiare, angazhimin e njerëzve dhe duke marrë parasysh indikatorët për bojkotimin e këtij procesi zgjedhor”, ka theksuar ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se qytetarët serbë kanë pësuar në këtë proces duke u bërë viktimë e këtyre politikave.
“Jemi duke folur për 100 qytetarë deri në informacionet e fundit që i kemi, në të gjitha komunat e Kosovës. S’e besoj që do të arrijë ndonjë përqindje kjo dalje në këtë formë ose në këtë format se si po shkon procesi…Qytetarët serbë në këtë rast janë viktimë e politikave, por edhe viktimë e Listës Serbe, të politikës së Beogradit, por edhe e Qeverisë së Kosovës, e cila jo mjaftueshëm ka bërë për të adresuar këto çështje”, ka deklaruar ai.
Në një deklaratë për media, Kryeziu tha se edhe pse qendrat e votimit janë hapur me kohë, mungesa e informacionit për vendndodhjen e tyre ka ndikuar në interesimin e ulët të qytetarëve për të marrë pjesë në votim.
Probleme të tjera, sipas Kryeziut, lidhen me vendosjen e kamerave në vendvotime, e cila, sipas tij, mund të jetë intimiduese dhe të mos garantojë fshehtësinë e votës.
Ndërkohë, Kryeziu ka shtuar se, në aspektin ligjor, organizimi i votimeve është bërë në përputhje me kriteret ligjore, por përsëri pjesëmarrja e qytetarëve është e dobët.