DnV-ja: Procesi i votimit po rrjedh i qetë
Sipas raportimeve të vëzhguesve të Demokracisë në Veprim (DnV) procesi i votimit që nga hapja e vendvotimeve po zhvillohet në mënyrë të qetë.
“Procesi i votimit deri më tani është duke rrjedhur i qetë, me disa parregullsi të izoluara, të cilat kanë ndodhur në një numër të vendvotimeve”, ka thënë Eugen Cakolli.
Në mesin e shkeljeve ai ka përmendur respektim të pjesshëm të masave për luftim të koronavirusit, raste të votimit me dokumente jovalide, raste kur votuesit nuk kanë gjetur emrat e tyre nëpër vendvotime apo kanë shkelur procedurat për votim me asistencë.
Deri në orën 10:00, të drejtën kushtetuese për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 5.2 për qind (0.24 për qind margja e gabimit) e qytetarëve me të drejtë vote.
Në komunat me shumicë serbe është raportuar për dalje në votime në mbi 10 për qind, që është dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1,794,862 qytetarë të Kosovës.