DnV-ja: Reforma zgjedhore duhet të jetë prioritet kyç i qeverisjes së ardhshme
Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV), ka organizuar një tryezë diskutimi në të cilën është publikuar “Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës”.
Pjesëmarrës në këtë tryezë kanë qenë të pranishëm deputetë nga legjislatura e kaluar, zyrtarë të institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve, përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, subjektet politike si dhe kori diplomatik.
Me këtë rast, ambasadori gjerman, Christian Heldt, ka përgëzuar DnV-në për punën që ka bërë gjatë procesit zgjedhor.
“Dua të përgëzoj punën shumë profesionale të Demokracisë në Veprim në vëzhgimin e zgjedhjeve kombëtare 2019. Është e shkëlqyeshme të shohësh një koalicion të gjerë të OJQ-ve nga të gjitha komunitetet teksa bëjnë një punë të shkëlqyeshme dhe bëjnë bashkë ekspertizën e tyre. Jemi krenarë që Zyra e jashtme gjermane ishte mbështetësja kryesore e KDI-së, në emër të Demokracisë në Veprim, në këtë proces zgjedhor”, ka thënë ai.
Të gjeturat kryesore të raportit të monitorimit të zgjedhjeve janë prezantuar nga Eugen Cakolli nga DnV-ja. Ai ka vlerësuar se procesi zgjedhor është zhvilluar në frymë demokratike dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare për të organizimit të zgjedhjeve, përveç në komunat me shumicë serbe, ku sipas tij qytetarëve u është bërë presion të votojnë një subjekt të caktuar politik.
“Sidoqoftë, pavarësisht vlerësimit pozitiv për zgjedhjet, 88.2 për qind e vendvotimeve i janë nënshtruar procesit të rinumërimit, kryesisht lidhur me gabimin teknik të Sekretariatit të KQZ-së në formularët e përputhjes së rezultateve, duke shkaktuar vonesën më të gjatë të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve që nga viti 2010”, ka thënë Cakolli.
Më tutje, ai ka thënë se pranimi i mbi 6 mijë pakove me fletëvotime të supozuara përmes votimit me postë jashtë vendit pas afatit ligjor dhe anulimi i mbi 3 mijë votave të ardhura nga Serbia jashtë procedurës së paraparë ligjore, janë dy nga çështjet më të ndjeshme dhe komplekse që kanë karakterizuar zgjedhjet e 6 tetorit.
“Monitorimi i shpenzimeve të subjekteve politike gjatë fushatës tregon se në 747 aktivitete, sipas përllogaritjeve, janë shpenzuar rreth 3.6 milionë euro. Tavani i shpenzimeve për fushatën zgjedhore, siç parashihet me ligj, është tejkaluar vetëm nga LDK-ja”, ka deklaruar Canolli.
Sa i përket rekomandimeve që kanë ndalë nga ky raport, fillimisht është theksuar se reforma zgjedhore duhet të jetë një nga prioritetet kyçe të qeverisjes së ardhshme dhe e njëjta duhet të përfshijë sfidat e evidentuara gjatë këtyre zgjedhjeve.
Ndërsa, rekomandimet tjera është thënë se synojnë përmirësimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë çështjen e afateve të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, numërimin, përmirësimin e kapaciteteve të trupave menaxhuese të zgjedhjeve, votimin jashtë vendit, informimin dhe edukimin e votuesve, fushatën zgjedhore, financimin e subjekteve politike gjatë fushatës, listën e votuesve, përfaqësimin gjinor në lista të kandidatëve, drejtësinë zgjedhore dhe harmonizimin e kornizës ligjore.
/Epoka e re/