DnV-ja: Subjektet politike të garantojnë barazi gjinore në lista zgjedhore
Koalicioni i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim (DnV)” ka filluar përgatitjet për monitorimin e procesit zgjedhor për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës. DnV-ja do të vëzhgojë nga afër edhe aktivitetet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke konfirmuar angazhimin e saj për të siguruar një organizim dhe menaxhim të mirëfilltë të procesit zgjedhor.
Çështja e parë e cila kërkon vëmendje të menjëhershme nga subjektet politike është nominimi i anëtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ), duke respektuar parimin e barazisë gjinore. Të dhënat nga zgjedhjet e kaluara parlamentare tregojnë se partitë politike kanë nominuar vetëm 25 gra (ose rreth 9 për qind) nga 263 anëtarë të KKZ-ve, në mbi 40 për qind e komunave nuk kanë pasur asnjë grua në përbërje të KKZ-ve ndërsa vetëm katër nga 38 KKZ janë udhëhequr nga gratë.
DnV-ja u ka bërë thirrje subjekteve politike që premtimet e tyre për përfshirje të grave në proces zgjedhor mund të arrihen vetëm me veprime konkrete, dhe atë duke garantuar përfaqësim të barabartë gjinor gjatë nominimit të anëtarëve të KKZ-ve, proces ky që ka filluar sot dhe përfundon më 31 gusht dhe që bazohet në Ligjin për Barazi Gjinore dhe në vet Kushtetutën e vendit.
Për më tepër, në vitin 2015, subjektet politike në vend kanë nënshkruar deklaratën për rritjen e përfshirjes së grave në proceset zgjedhore, e cila synonte rritjen e përfaqësimit të grave në trupat menaxhuese të zgjedhjeve që nga niveli qendror, në nivel komunal dhe në nivel të vendvotimeve prej të paktën 40 për qind dhe deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë për të dy gjinitë.
Afat i rëndësishëm në procesin e organizimit të zgjedhjeve është afati për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Përgjatë këtij afati, subjektet politike kanë mundësinë që përfundimisht të garantojnë zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore duke aplikuar kuotën gjinore 50 për qind në listat e tyre zgjedhore dhe të sillen konform parimeve bazë të demokracisë.
Nga DnV-ja është theksuar se pjesëmarrja e barabartë e grave në politikë, është një ndër elementet kyçe të demokracisë e cila mundëson zhvillim juridik dhe social të shoqërisë.
/Epoka e re/