DnV-ja tregon për shkeljet e partive gjatë fushatës

09 shkurt 2021 | 14:45

Koalicioni i organizatave vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim (DnV) ka shpalosën sot të gjeturat për ecurinë e gjashtë ditëve të fushatës zgjedhore.

Në raportin e publikuar shpalosen edhe shkeljet që partitë politike po i bëjnë gjatë aktiviteteve të tyre elektorale.

“DnV ka evidentuar në mënyrë të vazhdueshme shkelje nga subjektet politike të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe rregullat zgjedhore që obligon subjektet garuese për të njoftuar KKZ-të për aktivitetet e tyre zgjedhore 24 orë përpara. Nga terreni raportohet që ka pas jo transparencë nga subjektet politike për aktivitetet e tyre zgjedhore dhe rëndom lokacioni i të njëjtave është ndryshuar ad hoc. Mos njoftimi i aktiviteteve zgjedhore është evidentuar në 32% të rasteve të monitoruara. Për këtë arsye, DnV ka dërguar tre ankesa pranë PZAP-së duke kërkuar që të ndërmerren masat e duhura”, është thënë në raportin e DnV-së.

Në këtë drejtim, raporti evidenton edhe përdorimi i resurseve publike i cili është e rregulluar me ligj për të garantuar një garë të barabartë në mes të subjekteve politike dhe mbi të gjitha për të parandaluar keqpërdorimin apo shfrytëzimin e resurseve publike shtetërore. “Gjatë kësaj fushate zgjedhore, ky fenomen është evidentuar në më pak raste se në të kaluarën. Përgjatë gjashtë ditëve fushatë, DnV ka evidentuar pjesëmarrje e shërbyesve civil në 7 të aktiviteteve të monitoruara, në nga dy aktivitete të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së si dhe në një aktivitet të Nisma Socialdemokrate. Ndërsa veturat zyrtare janë përdorur në 5 aktivitete të monitoruara, përkatësisht në 4 aktivitete të organizuara nga subjekti politik LDK dhe një aktivitet të VV-së”, është thënë në raport.

Shqetësuese për DnV-në mbetet fakti që subjektet politike vazhdojnë të mos respektojnë masat anti-Covid, duke tejkaluar numrat e lejueshëm të grumbullimit të qytetarëve në tubime publike dhe duke mos respektuar rregullat për distancë sociale dhe mbajtjen e maskave në mënyrë të duhur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Sali Bislimi, i cili jeton në Zvicër, ka bërë…