DnV-ja vlerëson se është koha ideale për inicimin e reformës zgjedhore
Demokracia në Veprim (DnV) ka theksuar se Kosova tanimë ka kaluar më shumë se një dekadë që nga inicimi i reformës zgjedhore, proces ky i cili nuk është përmbyllur në mungesë të një përkushtimi dhe vullneti politik.
Madje edhe iniciativa e vitit 2019 për përmirësimin dhe fuqizimin e procesit zgjedhor nëpërmjet formimit të një komisioni ad-hoc në Kuvendin e Kosovës, që kishte mbetur në gjysmë për shkak të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare, nuk është iniciuar më.
“Vitin që lamë pas Kosova përmbylli me sukses dy procese zgjedhore, të nivelit qendror dhe atij lokal, zgjedhje të cilat sërish u shoqëruan nga disa probleme të përsëritura ndër vite. Këto probleme burojnë kryesisht nga sistemi zgjedhor dhe elementet teknike të tij, të cilat janë hartuar në një kontekst të ndryshëm politik”, ka njoftuar DnV-ja.
Demokracia në Veprim ka theksuar se meqenëse vendi nuk do të ketë cikël të rregullt zgjedhor për rreth edhe tri vjet, konsideron se tash është koha ideale për inicimin e diskutimeve për fillimin e një procesi përmbajtjesor të reformës zgjedhore, duke rishikuar në tërësi legjislacionin zgjedhor.
“Draftimi i një kodi zgjedhor, i cili do t’i përfshinte të gjitha aspektet e çështjeve zgjedhore, duhet të merret seriozisht në konsideratë si mënyrë e shpërfaqjes së vendosmërisë për ta shtyrë përpara reformën zgjedhore”, është thënë në njoftimin e kësaj organizate.
DnV-ja ka vlerësuar se ky proces, i cili është i një rëndësie shumë të madhe për vendin, duhet të jetë i bazuar në parime dhe vlera të cilat garantojnë zbatueshmëri të tij në praktikë dhe reflektojnë pajtueshmëri të gjerë të publikut.
DnV-ja ka theksuar se vlerat dhe parimet themelore mbi të cilat duhet të iniciohet dhe të zhvillohet reforma zgjedhore janë: Përcaktimi i objektivave dhe subjekteve të reformës zgjedhore.
“Objektivat e reformimit të sistemit zgjedhor duhet të përcaktohen qartazi para inicimit të procedurave zyrtare. Kjo nënkupton që duhet të definohen qëllimi përfundimtar që synohet të arrihet me reformën zgjedhore si dhe çështjet që do të trajtohen, duke mos anashkaluar edhe elementet e sistemit politik, përfshirë partitë politike dhe financimin e tyre, si dhe funksionimin e medieve gjatë zgjedhjeve. Të gjitha ndryshimet eventuale duhet të jenë në përputhje me pesë parimet evropiane të zgjedhjeve, që përfshijnë votimin universal, të barabartë, të lirë, të fshehtë dhe të drejtpërdrejtë”, thuhet në vlerësimin e DnV-së.
DnV-ja ka shtuar se aktorët e përfshirë në proces nuk duhet ta parcializojnë reformën zgjedhore në atë mënyrë që të adresohen apo ndryshohen vetëm segmente të caktuara të sistemit të cilat i konvenojnë njërës apo palës tjetër.
“Sa iu përket subjekteve të reformës zgjedhore, meqë Kosova është republikë parlamentare, iniciativa duhet të burojë nga Kuvendi i Kosovës, eventualisht nga partia në pushtet e cila ka shumicën në Kuvend. Kuvendi do të duhej të themelonte një komision të posaçëm, përbërja e të cilit reflekton kompozicionin politik të Kuvendit, por i cili do të duhej të kryesohej nga opozita, si vlerë e shtuar e procesit”, është bërë me dije në këtë njoftim.
DnV-ja ka vlerësuar se duhet edhe konsensusi politik dhe shoqëror. “Duke qenë se sistemi zgjedhor është në esencë përkthim i vullnetit politik të qytetarëve, do të duhej që reforma zgjedhore të reflektojë një konsensus sa më të gjerë shoqëror i cili përkthehet edhe në konsensus politik. Po ashtu, në funksion të arritjes së një konsensusi sa më të gjerë, duhet që të ketë dakordim edhe për shumicën e nevojshme dhe mënyrën e votimit të ndryshimeve eventuale, e cila duhet të garantojë respektim të qëndrimit të të gjitha palëve dhe mosbllokim të procesit, për aq sa është e mundur”, ka theksuar DnV-ja.
Kjo organizatë ka njoftuar se votimi me 2/3 e votave në Kuvend, sidomos duke ditur se disa prej reformave mund të kërkojnë ndryshime kushtetuese, do të duhej të ishte kriter minimal.
Sipas DnV-së, reforma zgjedhore dhe raportet mes partive politike për këtë çështje duhet të zhvillohen nën besim reciprok. Po ashtu, DnV-ja ka theksuar se në kuadër të kësaj reforme duhet të ketë gjithëpërfshirje, transparencë dhe llogaridhënie.
“Në kuadër të iniciativës së reformës zgjedhore duhet të përfshihen të gjithë aktorët e interesuar për të kontribuar në proces, duke përfshirë nivelin politik, administrativ dhe sektorin joqeveritar. Në këtë drejtim, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve të tjera që kanë përgjegjësi të çfarëdollojshme në zgjedhje dhe palët e interesit duhet të ofrohet mundësi për përfshirje në kuadër të grupeve punuese”, është thënë në njoftimin e DnV-së, duke shtuar se pjesë e kësaj reforme është edhe proporcionaliteti kohor.
“Procesi i reformës zgjedhore nuk duhet të marrë edhe një dekadë tjetër për t’u përmbyllur. Ndryshimet eventuale që mund të bëhen me nguti dhe në afate të ngushta kohore mund ta cenojnë konsensusin politik dhe transparencën ndaj qytetarëve, duke e dëmtuar procesin në tërësi. Meqenëse Kosova nuk do të ketë vit zgjedhor të rregullt edhe rreth tri vjet (deri në vitin 2025), duhet që procesi i reformës të zhvillohet brenda një periudhe të arsyeshme kohore, në atë mënyrë që garanton respektimin e parimit që ndryshimet duhet të miratohen të paktën një vit para zgjedhjeve, me qëllim që institucionet përkatëse të kenë kohë të mjaftueshme për implementim të ndryshimeve dhe informim të qytetarëve”, ka vlerësuar Demokracia në Veprim.