DnV-ja: Votimi jashtë vendit të zëvendësohet me votim në ambasada
Për të diskutuar mbi të gjeturat dhe rekomandimet e “Raportit përfundimtar të vëzhgimit të zgjedhjeve lokale 2017”, procesin zgjedhor si dhe reformën zgjedhore të cilët duhet ta ndërmerr Kosova, koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka mbajtur të premten një tryezë diskutimi me përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, subjekteve politike si dhe shoqërisë civile.
Në hapje të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka theksuar se zgjedhjet janë standardi kyç që i jep vlerë funksionimit të një shteti demokratik.
“Në këtë përvjetor jubilar të republikës sonë, nëse për asgjë tjetër viti 2017 mund të jetë vit i suksesit për arritjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira, të drejta dhe të barabarta. Zgjedhjet e drejta dhe të lira janë burime krijuese të institucioneve legjitime dhe përfaqësuese”, ka thënë ndër të tjera ai.
Kurse, Albert Krasniqi nga DnV-ja, ka prezantuar të gjeturat dhe rekomandimet e raportit të vëzhgimit të zgjedhjeve lokale.
“Votimi jashtë vendit përmes postës duhet të hiqet dhe të zëvendësohet me votim në misionet konsullore dhe ambasada të Kosovës. Të shqyrtohet mundësia e rinumërimit në rast se diferenca në rezultat është më e ngushtë se 1%, sidomos kur numri i fletëvotimeve të pavlefshme është më i madh sesa diferenca në mes të kandidatëve. Po ashtu duhet sqaruar legjislacioni sa i përket certifikimit të kandidatëve me vepra penale, pasi vendimi i KQZ-së që ishte në harmoni me ligjin për zgjedhjet por që u hodh poshtë nga Gjykata Supreme”, ka thënë Krasniqi.