DnV: Me grumbullime, partitë po rrezikojnë jetën e qytetarëve
Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim në Kosovë e ka dënuar ashpër “papërgjegjësinë e subjekteve politike, të cilat po vënë në rrezik shëndetin dhe jetën e qytetarëve”, duke organizuar tubime të fushatës parazgjedhore pavarësisht masave ndaj pandemisë.
“Grumbullimet e mëdha pa përfillje të masave, mund të shkaktojnë pasoja të cilat institucionet nuk do të mund t’i përballojnë, as në aspektin shëndetësor dhe as në atë ekonomik. DnV iu bën thirrje subjekteve politike që të respektojnë në mënyrë rigoroze të gjitha masat anti-COVID-19 gjatë zhvillimit të aktiviteteve të tyre. Gjithashtu, DnV kërkon nga inspektoratet komunale të shqiptojnë dënime për të gjithë shkelësit pa përjashtim”, thuhet në deklaratën e këtij koalicioni të organizatave joqeveritare, të cilët kanë shpalosur të shtunën të gjeturat e monitorimit të tri ditëve të para të fushatës së partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.
Jeta Krasniqi, nga DNV njoftoi se monitorimi i fushatës zgjedhore po bëhet në shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës dhe komunat me shumicë serbe me anë të angazhimit të 16 vëzhguesve afatgjatë.
Për shkak të pandemisë së koronavirusit, në Kosovë nuk lejohen tubime në ambiente të mbyllura me më shumë se 30 persona, si dhe ndalohen të gjitha tubimet që kanë më shumë se 50 pjesëmarrës. Mirëpo të dyja rregullat janë shkelur me nisje të fushatës zgjedhore më 3 shkurt.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt. Fushata zgjedhore e subjekteve politike, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të zgjasë prej 3 shkurtit e deri më 12 shkurt. Në garën për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës, do të garojnë 28 subjekte politike me mbi 1.000 kandidatë për deputetë.