DnV: Partitë shkelën në formë flagrante masat anti-Covid gjatë fushatës
Misioni vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, përmes një konference për media, sot ofroi vlerësimin për fushatën elektorale për zgjedhjet që do të mbahen nesër. Ky vlerësim është bërë duke u fokusuar në disa dimensione të fushatës, duke përfshirë respektimin e masave anti-Covid, formatin e fushatës, ofertat politike, koalicionet, si dhe shfrytëzimin e resurseve publike për qëllime të fushatës.
DnV vlerëson se fushata zyrtare pesë ditore, e përcaktuar nga KQZ-ja për raundin e dytë të zgjedhjeve, në fakt ishte vetëm përmbyllje e aktiviteteve nga subjektet politike, të cilat nuk e kishin ndërprerë fushatën që nga shpallja e rezultateve për kryetarë komunash.
Menjëherë pas raundit të parë të zgjedhjeve, fushata e kandidatëve të subjekteve politike u zhvendos nga ajo dixhitale tek aktivitetet tradicionale – duke përfshirë tubime me pjesëmarrje të madhe qytetare apo defilimeve nëpër sheshe publike. Ndonëse nuk munguan edhe postimet nëpër rrjete sociale, format kryesore të fushatës ishin tubimet publike dhe pjesëmarrja në emisione televizive.
Aktivitetet e kandidatëve nëpër komuna, qofshin në hapësira të mbyllura apo të hapura, në masë të madhe janë zhvilluar në shkelje flagrante të të gjitha masave anti-COVID. Organizimi i tubimeve me numër shumëfish më të lartë të pjesëmarrësve se që është e lejuar, mosbartja e maskave dhe mungesa e distancës janë evidentuar në pothuajse të gjitha aktivitetet e organizuara. Mungesa e kontrolleve sistematike e rutinore nga Policia e Kosovës dhe AUV-i, si dhe gjobat e pamjaftueshme nga këto institucione – kryesisht në vlera minimale – kanë bërë që takime të tilla të zhvillohen lirshëm gjithandej nëpër komuna, e posaçërisht gjatë ditëve të fundit ku numri i pjesëmarrësve në aktivitete varionte nga qindra deri në mijëra sosh. Edhe në rastet kur vet KQZ-ja ka raportuar për organizim të tubimeve në kundërshtim me masat fuqi, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse ligjore, pa anashkaluar faktin që shumica e këtyre tubimeve kanë qenë publike apo të njëjtat janë reklamuar nga subjektet politike dhe kandidatët e tyre. Po ashtu, një numër i madh i aktiviteteve janë zhvilluar edhe në hapësirat e shkollave të ndryshme nëpër komuna, madje në raste të caktuara edhe brenda ndërtesave, që paraqet shkelje të vendimit të MASHT-it lidhur me këtë çështje.
Dukuria e koalicioneve në mes të subjekteve politike apo kandidatëve të tyre nëpër komuna të ndryshme ka qenë mjaft e shprehur, edhe pse në raste të caktuara ato nuk janë formalizuar. Sidoqoftë, në disa komuna, subjektet politike dhe kandidatët kanë deklaruar se nuk do të lidhin koalicione me subjektet tjera. E në rastet kur ka pasur koalicione, fatkeqësisht as në këtë proces zgjedhor, marrëveshjet për koalicione nuk janë bërë publike. Kësisoj, qytetarët kanë mbetur të painformuar mbi pikat e dakorduara programore apo ndarjen e përgjegjësive qeverisëse, gjë që paraqet mungesë transparence në raport me qytetarët.
Programet politike të kandidatëve kanë qenë kryesisht të njëjta me ato që janë prezantuar para votuesve në raundin e parë të zgjedhjeve. Në raste të caktuara, kandidatët kanë treguar ndjeshmëri ndaj problemeve që qytetarët kanë ngritur gjatë takimeve, duke i përfshirë ato në programet e tyre. Vlen të theksohet se sa i përket publikimit të programeve politike është shënuar avancim i ndjeshëm, meqë në gati të gjitha komunat që kanë pasur fushatë për balotazhin, programet janë bërë publike, si në formë të broshurave – që janë shpërndarë në hapësira publike apo edhe nëpër lagje të caktuara – ashtu edhe në formate elektronike.
Sidoqoftë, ndonëse programet janë bërë publike, nuk janë bërë e ditur se kush do të jenë personat përgjegjës për implementimin e programit në sektorë të caktuar. Në këtë drejtim, asnjë nga kandidatët në garën e balotazhit nuk e ka bërë publike përbërjen e kabineteve qeverisëse të nivelit lokal.
Dukuria e abuzimit me resurset publike gjatë fushatës ka qenë dukshëm më pranishme në garën e balotazhit. Kjo është manifestuar përmes pjesëmarrjes së anëtarëve të kabinetit qeveritar në tubime publike apo ecjeve nëpër sheshe, kryesisht gjatë orarit të punës. Njëkohësisht, përfshirja e ekzekutivit të nivelit qendror në garën lokale përmes ofrimit të mbështetjes për kandidatët e atij subjekti politik, duke ndërlidhur zbatimin e projekteve të caktuara me ofrimin e ndihmës financiare nga Qeveria, ka ndikuar në parimin e garës së barabartë zgjedhore. Po ashtu, edhe një pjesë e deputetëve, nga pothuajse të gjitha partitë, kanë qenë aktivisht të përfshirë në aktivitetet e fushatës.
Ndryshe nga raundi i parë i zgjedhjeve ku fushata ishte përgjithësisht e qetë dhe e balancuar, rastet e acarimit të gjuhës dhe ashpërsimit të diskursit mes kandidatëve kanë qenë mjaft të shprehura, sidomos gjatë debateve televizive, por duke mos përjashtuar fjalimet dhe komunikimet në rrjete sociale.
Emisionet dhe debatet televizive mes kandidatëve kanë qenë vlerë e shtuar e kësaj periudhe. Formati i debateve vetëm me dy kandidatë ka mundësuar diskutime më të thukëta e përmbajtësore lidhur me ofertat programore të kandidatëve, për dallim nga debatet e raundit të parë kur kjo është pamundësuar nga numri i madh i kandidatëve pjesëmarrës dhe hapësira e ngushtë kohore. Megjithatë, edhe pse është shënuar përmirësim në këtë drejtim, sërish mbetet hapësirë për avancim të mëtutjeshëm, meqenëse për një pjesë të komunave janë zhvilluar vetëm emisione individuale me kandidatët përkatës.
Në fund, DnV i bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, që nesër të dalin dhe të votojnë së më masovisht, duke zgjedhur udhëheqësit e tyre në nivelin lokal, por edhe duke kontribuar kështu në avancimin e demokracisë. Në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë të angazhuar 90 vëzhgues, të cilët do të jenë të shpërndarë në mënyrë proporcionale nëpër komuna, duke u bazuar në një mostër të provuar statistikore.