![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/Votat3.png)
DnV: Vonesat për numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe dëmtojnë besimin në procesin zgjedhor
Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se vonesat në numërimin e votave të kandidatëve janë të papranueshme dhe sipas tyre kështu dëmtohet besimi në procesin zgjedhor.
DnV-ja ka theksuar se procesi i numërimit të votave për kandidatë do duhej të fillonte dje.
“Sipas legjislacionit në fuqi, në vendvotimet e rregullta, fillimisht numërohen vetëm votat për subjektet politike, ndërsa verifikimi i tyre dhe numërimi i votave për kandidatët e subjekteve politike duhet të nisë ditën pas zgjedhjeve. Procesi i numërimit të votave për kandidatët duhej të kishte filluar dje, të hënën në orën 08:00 të mëngjesit në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN). Megjithatë, për shkak të atyre që KQZ-ja i konsideron “probleme teknike dhe administrative”, ky proces ende nuk ka nisur deri në këtë moment. Vetëm sot, KQZ ka njoftuar se procesi do të fillojë në orën 16:00, por vetëm në katër komuna. Ky veprim është një improvizim që krijon përshtypjen se situata është nën kontroll, kur në fakt realiteti është ndryshe”, është thënë në reagimin e DnV-së.
DnV-ja ka kërkuar nga KQZ-ja të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit dhe pranimit të fletëvotimeve nga jashtë përmes postës.
“Demokracia në Veprim i bën thirrje KQZ-së që pa vonesa dhe në mënyrë transparente të ndajë informacione për ecurinë e procesit të numërimit në QKN dhe pranimin e fletëvotimeve nga jashtë përmes postës. Gjithashtu, kërkojmë që KQZ-ja të angazhohet më intensivisht me të gjitha kapacitetet e saj, në mënyrë që të mos tejkalohen afatet ligjore dhe të mos krijohen vonesa që mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve. Duke mos i ndarë informatat me kohë dhe në mënyrë transparente, KQZ do të mund të dëmtojnë besimin e qytetarëve në rezultatet e zgjedhjeve, gjë që është e papranueshme, sidomos pas një dite të zgjedhjeve demokratike”, është thënë në reagimin e DnV-së.