DnV: Zarfet nga Serbia të verifikohen pas garantimit të shëndetit të personelit të KQZ-së
Demokracia në Veprim (DnV) ka bërë me dije se është duke përcjellë procesin e verifikimit të mbi 3,500 zarfeve të ardhura nga Serbia.
Për shkak të ndjeshmërisë dhe kompleksitetit së këtij procesi, DnV-ja ka kërkuar nga KQZ-ja që të procedojë me verifikimin e këtyre zarfeve vetëm pasi të jetë garantuar siguria dhe shëndeti i personelit përgjegjës. “DnV vlerëson që procesi i numërimit është duke u zhvilluar brenda afateve të rregullta kohore, andaj KQZ nuk duhet të nxitojë me verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia para se prokuroria të publikojë rezultatet nga hetimi i këtyre zarfeve dhe të hapë rrugë për verifikimin dhe numërimin e tyre”, është thënë në komunikatën për medie të DnV, duke i ftuar organet e drejtësisë ta hetojnë këtë rastet. “Tanimë në përmbyllje të procesit të numërimit, DnV fton institucionet e drejtësisë që të hetojnë rastet të cilat konsiderohen si tentativa të qëllimshme për manipulim të rezultatit zgjedhor në mënyrë që të mos njolloset vlerësimi pozitiv mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe të mos luhatet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor”, është thënë në komunikatë.
/Epoka e re/