‘Do të digjej Kuvendi i Shqipërisë’, Meta zbulon detaje nga protesta e 8 qershorit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka zbuluar disa detaje sa i përket informacioneve që kishte për trazirat e pritshme në protestën e opozitës më 8 qershor.
Pak orë përpara nisjes së protestës, Meta ka njoftuar zhdekretimin e 30 qershorit si datë për zgjedhjet lokale, çka shfryu tensionin midis mbështetësve të opozitës dhe policisë.
Meta ka thënë se një informacion sekret dhe i klasifikuar bënte me dije se persona të caktuar do të shfrytëzonin protestën e 8 qershorit për të djegur Kuvendin e Shqipërisë. “Sigurisht, ky ishte një informacion i ri në këtë drejtim, por i besueshëm”, ka thënë presidenti Meta.
Sipas Metës, ky tension nuk do të prodhonte vetëm plagosje të protestuesve dhe policëve, por do të kishte pasoja edhe për jetët e qytetarëve.
Ai është shprehur i gatshëm ta vendoste këtë informacion në funksion të Komisionit hetimor të Parlamentit, ku ai po dëshmon, por vetëm pasi të merret leje nga autoritetet dhe pasi të kontrollohen certifikatat e sigurisë të anëtarëve të Komisionit. /TCh/