“Do kundërpërgjigjemi”, SHBA dhe Izraeli plane për dërgimin e mbrojtësve “Patriot” në Kiev
Rusia është duke përgatitur masat e nevojshme për një kundërpërgjigje ndaj provokimeve të dronëve strategjikë amerikanë në Detin e Zi. Ministri rus i Mbrojtjes Andrei Belousov ka urdhëruar Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë që të dalë me propozime se si ta trajtojnë këtë problematikë.
Ministria tha në një deklaratë se kishte vërejtur rritje të aktivitetit në zonë nga dronët amerikanë për të cilët tha se po grumbullonin informacione për shënjestrimin e armëve perëndimore me precizion të lartë të përdorura nga Ukraina për të goditur objektet ruse.
“Kjo demonstron përfshirjen në rritje të Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të NATO-s në konfliktin në Ukrainë në anën e regjimit të Kievit. Fluturime të tilla shumëfishojnë mundësinë e incidenteve në hapësirën ajrore me avionët rusë, gjë që rrit rrezikun e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis aleancës (NATO) dhe Federatës Ruse.”
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Ukraina janë duke zhvilluar bisedime të shpeshta me qëllim furnizimin e Kievit me sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot. Ky fakt është vënë në dukje nga prestigjiozja britanike, Financial Times në një editorial të sajën.
Në bazë të burimeve konfidenciale të cilat i zotëron Financial Times, marrëveshja që është duke u negociuar mes tre shteteve sinjalizon gjithashtu edhe një ndryshim në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Moskës, dikur aleat të ngushtë.
Nëse marrëveshja do të materializohej, aftësitë e Ukrainës do të rriteshin ndjeshëm duke pasur parasysh se Kievi aktualisht ka rreth katër sisteme Patriot. Izraeli në prill tha se do të fillonte tërheqjen e tetë baterive 30-vjeçare Patriot dhe do t’i rinovonte ato me sisteme më të avancuara.
Por bateritë ende nuk janë çmontuar. Sakaq, bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit, 25 dronë sulmues ukrainas u rrëzuan në hapësirën ajrore të Rusisë perëndimore dhe jugperëndimore, tha Ministria e Mbrojtjes e Moskës.