Do me çdo kusht të jetë në inaugurimin e Trump, ish-presidenti i Brazilit në betejë për pasaportën
Nuk kanë fund problemet me të cilat përballet ish-presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili po përpiqet të rimarrë pasaportën e tij, pasi dëshiron me çdo kusht të jetë pjesë e ceremonisë për inaugurimin e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump.
Siç zbuloi sot një bashkëpunëtor i Jair Bolsonaro, Donald Trump e ka ftuar atë në ceremoninë e inaugurimit që do të zhvillohet më 20 janar 2025, megjithatë çështje të rëndësishme ligjore janë në pritje lidhur me pasaportën e ish-liderit të Brazilit.
Bolsonaro i dorëzoi pasaportën e tij autoriteteve braziliane pas një urdhri gjykate, sepse ai është nën hetim për një përpjekje për grusht shteti në vitin 2023.
Atij i ndalohet të mbajë çdo detyrë politike në Brazil deri në vitin 2030 dhe përballet me akuza penale për një tentativë të supozuar për grusht shteti, të cilën e mohon.
Me urdhër të një gjyqtari të Gjykatës së Lartë braziliane, ai dorëzoi pasaportën e tij në shkurt 2024.
Sakaq, ftesa për inaugurimin e Trump u konfirmua nga Bolsonaro në një postim në llogarinë e tij në platformën ‘X’ dhe nga këshilltari i tij, Fabio Weingarten, i cili i tha Reuters se ish-presidenti dëshiron të jetë më 20 janar në Uashington.
Në postimin e tij në X, Bolsonaro tha se ndihej “i nderuar që kishte marrë një ftesë”. Ai tha gjithashtu se avokati Paulo Bueno i kishte kërkuar gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Alexandre de Moraes që t’ia kthente pasaportën për udhëtim.