Do ta hedhim poshtë aktakuzën ndaj veteranëve të UÇK-së
Kryetari i Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) në Pejë, Gazmend Syla, ka bërë me dije se protesta e së mërkurës, e cila do të mbahet në Prishtinë, dhe që do të organizohet nga OVL e UÇK-së së Dukagjinit, ka për qëllim mbrojtjen e vlerave të luftës dhe dinjitetit të luftëtarit të UÇK-së.
Ai ka thënë se përmes kësaj proteste do të kundërshtohet aktakuza e prokurorisë në rastin “Veteranët”, e cila, sipas Sylës, fyen luftëtarët dhe luftën çlirimtare.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se do ta hedhin poshtë këtë aktakuzë në mënyrë që t’i hapet rruga një hetimi të ri.
Sipas Sylës, hetimi i veteranëve nuk ka qenë serioz dhe ka pasur për qëllim degradimin e luftës çlirimtare.
Ai ka bërë me dije se në këtë fazë nuk pritet t’u ndalen pensionet atyre veteranëve që, sipas prokurorisë, janë ‘veteranë të rrejshëm’.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)