Do të jem urë lidhëse në mes të Kosovës dhe diasporës
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Bekim Brestovci, ka bërë me dije se do të jetë një urë lidhëse e Kosovës me diasporën.
Ai ka thënë se me emërimin e tij në këtë pozitë qasja ndaj diasporës do të jetë më ndryshe pasi do të ndërmarrë disa iniciativa që do të jenë në dobi të shtetit të Kosovës dhe diasporës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Brestovci ka theksuar se një nga iniciativat e tij është që të krijohet një shoqëri aksionare, e cila do ta bëjë grumbullimin e kapitalit nga diaspora dhe më pas iu qaset sektorëve në të cilët nevojitet të investohet si dhe një këshill për diasporën që do të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me Kuvendin e Kosovës.
Brestovci në këtë intervistë ka theksuar se është nevojshme për Kosovën që të ketë edhe atashe ekonomikë.
“Epoka e re”: Z. Brestovci, pas emërimit tuaj në pozitën e zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, cili do të jetë roli juaj karshi diasporës?
Brestovci: Natyrisht përcaktimi im për të qenë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është fakti se kësaj ministrie i është shtuar edhe dikasteri i diasporës, që ka qenë pikënisja ime kryesore për vendimmarrje. Jam kthyer para dy vjetësh në Kosovë. Para se të vija në Kosovë kam qenë drejtor ekzekutiv i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, njërës nga organizatat më të fuqishme ekonomike shqiptare në të gjithë globin. Pas ardhjes sime në Kosovë vendosa ta ndryshoj formatin dhe të kem aktivitet politik, me arsyen që aktiviteti im të lidhet me diasporën. Një ndër iniciativat e mia do të jetë edhe krijimi i një Këshilli të Diasporës sepse, bazuar në Kushtetutën që është në fuqi, s’ka mundësi që diaspora të ketë vende të rezervuara. Andaj është e nevojshme që të kemi një këshill të diasporës i cili do të ishte një lidhje e drejtpërdrejtë me Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, do të jem dhe iniciues i mbështetjes së shumë aktiviteteve që kanë të bëjnë me diasporën, të cilat realizohen në diasporë, si mësimi i gjuhës shqipe dhe aktivitetet kulturore e sportive.
Unë e konsideroj veten përfaqësues të diasporës në Kosovë. Diaspora për aktivitetin tim di që nga vitet e ’90 sepse kam qenë protagonist i shumë çështjeve që kishin të bënin drejtpërsëdrejti me Kosovën, duke filluar nga fondi 3 për qind, fondi Vendlindja Thërret për ta ndihmuar luftën, pastaj edhe aktivitetet e tjera në Unionin e Bizneseve, si ndarja e 5 000 bursave vjetore për studentë nga Kosova. Po ashtu, kemi marrë 35 të rinj në Gjermani për shkollim profesional. Gjithashtu, kemi iniciuar edhe lejet e punës për vendet e treta. Krejt këto iniciativa të Unionit të Bizneseve. Diaspora e ka të qartë se jam këtu për ta ndihmuar atë dhe të jem urë lidhëse në aspektin ekonomik, me fokus të veçantë në shkollimet profesionale.
“Epoka e re”: Pse e zgjodhët pikërisht një parti socialdemokrate në aspektin ideologjik?
Brestovci: Arsyeja e inkuadrimit tim në politikë ka të bëjë me diasporën. Para zgjedhjeve të 6 tetorit kam bërë një koncept i cili kishte të bënte me përfshirjen e diasporës në jetën politike. Këtë koncept ua kam prezantuar disa partive politike: PDK-së, Vetëvendosjes dhe Nismës. Bindja ime ka qenë se Nisma Socialdemokrate do të na krijojë më shumë hapësirë për diasporën dhe kjo u vërtetua. Tani në Nismën Socialdemokrate mbaj edhe postin e sekretarit organizativ. Nisma Socialdemokrate ka elemente të socialdemokracisë dhe kjo është arsyeja që jam pjesë e saj. Unë jam fëmija i dy prindërve që në gjysmën e jetës së tyre kanë punuar në Qendrën për Punë Sociale dhe janë marrë me polet sociale të shoqërisë, që kanë lënë gjurmë në edukimin tim. Në shpirt jam socialdemokrat. Nëse shihet biografia ime prej një afaristi të suksesshëm, mund të shihni një djathtist, por jam i edukuar në aspektin e socialdemokracisë.
“Epoka e re”: Ndonëse kemi numër të madh biznesesh nga diaspora, nuk është parë ndonjë iniciativë e madhe për të investuar në Kosovë. Çfarë sfidash adresojnë këto biznese?
Brestovci: Është fakt që shqiptarët në Gjermani kanë avancuar shumë, po ashtu edhe në shtetet e tjera të botës. E përmenda më herët se unë i përkas Unionit të Bizneseve Shqiptare dhe se unione të tilla janë të sistemuara në 24 shtete të botës. Do të thotë, është një akumulim i madh i biznesmenëve në unione. S’mund të konstatojmë se investimet e diasporës kanë qenë të mangëta. Besoj se 50 për qind e bizneseve aktuale në Kosovë kanë ardhur nga diaspora, por që nuk janë të listuar si biznese të diasporës. Mirëpo, kemi konstatuar se bizneset individuale nuk janë të përmasave të mëdha që lënë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj, iniciativa ime është që të kalojmë në një format më ndryshe. Bizneset shqiptare të diasporës të krijojnë shoqëri aksionare. Do të thotë, ta bëjnë grumbullimin e kapitalit nga diaspora dhe më pas t’u qasemi sektorëve ku nevojitet të investohet. Unë kam listuar industrinë ushqimore, turizmin malor, si dhe fushën e blegtorisë, pa i anashkaluar sektorët tjerë që mendojmë t’i zhvillojë përmes funksionalizmit apo krijimit të zonave ekonomike për diasporën. Bizneset shqiptaro-gjermane kanë prezantuar një iniciativë për krijimin e një parku industrial për bizneset e diasporës në Malishevë, iniciativë kjo që është filluar në qeverinë Haradinaj e që, fatkeqësisht, në qeverinë Kurti ka pasur ngecje. Këto iniciativa duhet të jetësohen.
“Epoka e re”: Z. Brestovci, e përmendet krijimin e një këshilli të diasporës. Çfarë përbërje do të ketë ky këshill?
Brestovci: Ende nuk e kemi finalizuar si format. Për momentin është një ide e imja personale e cila duhet ta ketë vulën institucionale. Mendohet që në këtë këshill të ketë anëtarë nga e gjithë diaspora shqiptare. Formati final i Këshillit të Diasporës do të dërgohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Epoka e re”: Sa anëtarë janë në Unionin e Bizneseve Gjermano-Shqiptare?
Brestovci: Unioni i Bizneseve Gjermano-Shqiptare ka 500 firma aktive. Një pjesë e madhe e tyre janë firma të ndërtimit, kurse një pjesë tjetër janë kompani në fushën e gastronomisë. Pra, kemi numër të madh të firmave shërbyese, por fokusi më i madh është te gastronomia dhe ndërtimtaria.
“Epoka e re”: Përmendët dhe krijimin e një zone ekonomike për diasporën. Nuk mjaftojnë zonat ekonomike të cilat i kemi?
Brestovci: Ne duhet të kemi partneritet në mes të shtetit të Kosovës dhe afaristëve shqiptarë, prandaj do të jemi dorë e zgjatur për të krijuar lehtësira për investitorët nga diaspora. Në këtë mënyrë është menduar një format i tillë, ku qeveria afron prona në dispozicion për ata që dëshirojnë të investojnë në prodhimtari. Diaspora ka kapacitete për të investuar, por nevojitet dora e shtetit për të krijuar lehtësira.
“Epoka e re”: Si e keni parë idenë e Grenellit për të krijuar një Zonë Minishenzen?
Brestovci: Çdo ide që vjen nga Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja duhet të merret seriozisht dhe duhet bërë studim për t’i parë favoret dhe disfavoret potenciale. Jo çdo mekanizëm mund të sjellë përfitime. E kemi rastin e CEFTA-s që nuk ka sjellë edhe shumë favore për Kosovën. Duhet të bëhet një analizë e thuktë dhe të dilet me një qëndrim të përbashkët.
“Epoka e re”: Kosova ka mungesë të atasheve ekonomikë. Sa e pengon vendin kjo në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj?
Brestovci: Atashetë janë domosdoshmëri ekonomike për vendin tonë dhe për diplomacinë ekonomike. Ne duhet që në ato shtete ku shohim potencial për tërheqjen e investitorëve të kemi atashe ekonomikë, në mënyrë që të jemi urë lidhëse dhe t’u krijojmë mundësi atyre që të investojnë në kohë sa më të shkurtër.
“Epoka e re”: A do të merreni ju me këtë iniciativë?
Brestovci: Unë edhe pa qenë zëvendësministër dhe pjesë e politikës, qeverisë Haradinaj i kam drejtuar një kërkesë për emërimin e atasheve ekonomikë, pasi e kemi parë të domosdoshme që të ketë atashe, sidomos në shtetin e Gjermanisë.
“Epoka e re”: A duhet të kanalizohen në më shumë lëmë investimet nga diaspora, meqë shumica prej tyre shkojnë në fushën e patundshmërisë?
Brestovci: Remitancat dhe investimet në patundshmëri kanë qenë domosdoshmëri, pasi secili mërgimtar dëshiron ta ketë një vendqëndrim. Ne duhet të kalojmë në formate të tjera që të krijojmë hapësirë dhe lehtësira për kanalizim të investimeve, duke dhënë ide për projekte të ndryshme. Pra, duke filluar nga krijimi i fondeve të përbashkëta investive përmes Shoqërive Akisionare, që është e domosdoshme për të pasur një qasje më aktive që ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.
“Epoka e re”: Sipas jush, sa do të ndikojë pandemia në rënien e remitancave?
Brestovci: Nëse e analizojmë me rënien që ishte në krizën e viteve 2008-2009-të, pritet një rënie deri në 10 për qind. Nuk besoj se do të jetë më e madhe.
(Albulena S. Mavraj)