Do të jetë trajner i Messit, prezantohet Mascherano: Projekt ambicioz, jam shumë i lumtur

03 dhjetor 2024 | 14:33

Pasi ka kaluar disa vite në krye të ekipeve të të rinjve të Argjentinës, Javier Mascherano ka vendosur të pranojë ofertën e Inter Miamit, që disa ditë më parë i besoi drejtimin e ekipit të parë.

Ish-mesfushori ka ndarë mendimet e tij dhe ka shpjeguar arsyet që e çuan të mbyllë ciklin me “Albicelesten” dhe të transferohet në Shtetet e Bashkuara: “Jam shumë i lumtur që jam këtu, për mua është një sfidë e madhe. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të nis punën në vitin 2025”.

Mascherano do të ribashkohet me ish-shokët e tij të skuadrës (Messi, Suarez, Busquets dhe Jordi Alba), të cilët do ta ndihmojnë të ambientohet: “Është një projekt ambicioz, me lojtarë të njohur, shumë prej tyre kanë qenë shokët e mi të ekipit. Por ka edhe shumë talente të reja nga Akademia, të cilat i konsideroj thelbësorë për të ndërtuar diçka të rëndësishme”. Mascherano do të zëvendësojë Gerardo Tata Martinon, i cili u largua nga klubi për “arsye personale”, dhe ka firmosur një kontratë deri në fund të vitit 2027.

David Beckham, pronar i Inter Miamit, për emërimin e Mascheranos ka deklaruar: “Jemi shumë të emocionuar që e mirëpresim si trajnerin tonë. Ka qenë një nga lojtarët më të mirë në botë dhe është një trajner me përvojë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Sokol Bashota, ka thënë sot në Hagë se sa…